
I nderuar z. Kryeministër,
Ju drejtohem me këtë letër të hapur, për të shprehur shqetësimin tonë si CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Qendra për Internet të Sigurt në Shqipëri, përsa i përket sigurisë së internetit në vendin tonë.
Shqipëria pavarësisht masave që ka ndërmarrë për mbrojtjen e fëmijëve, rezulton se është një ndër vendet me internetin më të pasigurtë në Europë!
Raporti i 1-rë Kombëtar për Sigurinë në Internet të Fëmijëve në Shqipëri, tregon se fëmijët dhe të rinjtë janë plotësisht të pasigurtë dhe të pambrojtur nga Ligji dhe institucionet publike, gjatë navigimit të tyre në internet. Jo më larg sesa dy javë më parë, Policia e Shtetit na njoftoi për një rast bulizmi online që kishte shkaktuar tentativë për vetëvrasje të një të mituri. Disa ditë më parë, rrjetet sociale u bombarduan me profilin e një grabitqari seksual që shpërndante një marrëdhënie të dhunshme seksuale ndërmjet një të rrituri dhe një të miture. Askujt nuk i shkoi në mendje se po shpërndante pornografi me të mitur!
Të dhënat e Platformës Kombëtare www.ISIGURT.altregojnë se bulizmi dhe gjuha e urrejtjes në internet janë kthyer në shqetësimet më kryesore për fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë aspekt shoqëria civile dhe industria e komunikimit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në informimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe prindërve, sesi të navigojnë në internet në mënyrë të sigurt, si të kultivojnë sjellje të reja që nxisin respektin dhe përgjegjshmërinë në internet, si dhe ku të raportojnë kur interneti paraqet rreziqe për ta. Raporti “Krime pa Ndëshkim” tregoi se krime monstruoze janë duke u kryer ndaj fëmijëve dhe të rinjve në internet dhe për shkak të mungesës së rregullimeve ligjore në Kodin Penal këto krime po mbeten të pandëshkuara.
Në Shqipëri ligji për komunikimet elektronike dhe ai për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve i ka caktuar detyra specifike AKEP dhe ASHDMF për të trajtuar dhe për të marrë masa në lidhje me përmbajtjen e paligjshme apo atë të dëmshme, informimin e fëmijëve dhe monitorimin e punës së institucioneve për ta bërë internetin të sigurtë për fëmijët. Nga raportet dhe të dhënat e ardhura pranë Platformës www.ISIGURT.al, na rezulton se ka një tendencë të dërgimit të rasteve të fëmijëve pranë Autoritetit Kombëtar Për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), nga ana e ASHDMF që është e gabuar dhe nuk ndihmon në zgjidhjen e rasteve të fëmijëve.
Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKÇESK), ka në misionin e tij garantimin e sigurisë për shërbimet e besuara, në veçanti për garantimin e besueshmërisë dhe sigurisë në transaksionet elektronike ndërmjet qytetarëve, biznesit dhe autoriteteve publike, duke rritur efektivitetin e shërbimeve publike e private dhe tregtisë elektronike si dhe përcakton standardet minimale teknike për sigurinë e të dhënave dhe rrjeteve/sistemeve kompjuterike të shoqërisë së informacionit.
Ndërkohë ne e shohim ende të paqartë përfshirjen në trajtimin e rasteve nga ana e AKCESK (Autoriteti Kombëtar Për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike). Gjithashtu përfshirja e tyre në fushatat e ndërgjegjësimit në Shkolla, dhe jo e ekspertëve të fëmijëve dhe vetë mësuesve, nën-vlerëson përpjekjet e institucioneve të tjera të ngarkuara nga ligji për të kryer detyrën e tyre dhe për të informuar në mënyrë profesionale fëmijët dhe adoleshentët me informacion që nuk është Teknik, por është i përgatitur posaçërisht nga fëmijët dhe për fëmijët.
Nga ana tjetër Agjensia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve prej vitesh ushtron detyrën e saj në funksion të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe është përgjegjëse për koordinimin dhe organizimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës, në zbatim të politikave kombëtare për mbrojtjen e fëmijës, duke përfshirë zbatimin e ndërhyrjeve dhe marrjen e masave për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijës nga abuzimi, neglizhimi, keqtrajtimi dhe dhuna. Kjo Agjensi e nivelit kombëtar koordinon punën e saj me agjensitë e tjera shtetërore dhe private, dhe ka për detyrë të bashkëpunojë me strukturat shtetërore përgjegjëse në procesin e hartimit të propozimeve e të zbatimit të politikave integruese në Bashkimin Europian, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës. Si e tillë ajo ndërton dhe realizon vetë apo në bashkëpunim me institucione të tjera veprimtari për edukimin, trajnimin, ndërgjegjësimin e qytetarëve, si dhe të punonjësve e të funksionarëve të administratës publike e të sistemit të drejtësisë dhe koordinon ose realizon fushata ndërgjegjësimi dhe aktivitete konkrete për promovimin e pjesëmarrjes së fëmijës në të gjitha fushat.
I nderuar z. Kryeministër,
Qendra për Internet të Sigurt në Shqipëri dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, kërkojnë që Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKÇESK) të ndërpresë zhvillimin e strategjive, rregullimeve apo çdo projekt tjetër që ka të bëjë me mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve, pasi një funksion të tillë e kryen vetë Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim të ngushtë me Agjensinë Shtetërore të të Drejtave dhe Mbrojtjes së Fëmijëve (ASHDMF) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Ne kërkojmë gjithashtu që Policia e Shtetit të krijojë një Drejtori të veçantë me prezencë në të 12 qarqet e vendit për krimet kibernetike, pasi jeta virtuale dhe krimi në të janë kthyer në një realitet që nuk mund ta neglizhojmë më.