Tiranë, 25 Nëntor 2015 – Koalicioni Shqiptar kundër Trafikimit dhe Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve u bë sot anëtar me të drejta të plota i ECPAT International. Vendimi u bë i njohur nga Bordi i Drejtuesve të ECPAT International, i cili është në krye të një rrjeti global organizatash që punojnë nëdrejtim të çrrënjosjes së shfrytëzimit seksual, pornografisë dhe trafikimit të fëmijëve për qëllime seksuale.
Koalicioni Shqiptar kundër Trafikimit dhe Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve (ACTSEC) është themeluar në vitin 2007 si një grup mbështetës i ECPAT International dhe përbëhet nga disa organizata të mëdha kombëtare nga spektri i organizatave të fëmijëve, të rinjve dhe grave. Në vitin 2007 ACTSEC themeloi grupin e saj rinor i cili ndërmorri një sërë fushatash kombëtare kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe që atëherë punon për eliminimin e trafikimit dhe çdo forme të shfrytëzimit të fëmijëve. Është e angazhuar për të bërë përpjekje të rëndësishme në luftën kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri nëpërmjet mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në vend. ACTSEC mbështetet nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve – CRCA Shqipëri, Linja Kombëtare e Telefonit të Fëmijëve – ALO 116, Qendra e Informacionit dhe Kërkimeve për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri – IRCCRA. Ajo gjithashtu përfshin Koalicionin për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri dhe Lidershipin e të Rinjve të Tiranës, dy rrjete të mëdha organizatash që punojnë në nivel kombëtar nga veriu në jug për avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe sigurimin e rezultateve konkrete në luftën kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Ajo është pjesë e Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, një organizatë ombrellë që punon për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e njeriut në vend.
ACTSEC ka mbështetur dhe avokuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga shfrytëzimi seksual dhe trafikimi në vend, duke i dhënë zë fëmijëve në nivel vendor dhe kombëtar, duke ndikuar politikat dhe legjislacionin, duke forcuar kapacitetet e qeverisë për të punuar me fëmijët si dhe vënë nën presion zyrtarët e lartë për të përmirësuar situatën dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në vend.
ACTSEC do të jetë i vetmi anëtar kombëtar i ECPAT International në Shqipëri. Anëtarët e ACTSEC punojnë dhe do të vijojnë të punojnë në iniciativa si parandalimi, mbrojtja, reintegrimi dhe rritja e vemendjes rreth çështjeve të abuzimit seksual, shfrytëzimit dhe trafikimit të fëmijëve.
Rreth ECPAT International – ECPAT është një rrjet global i përbërë prej 80 organizatash që punojnë së bashku në 74 shtete për eliminimin e prostitucionit, pornografisë dhe trafikimit të fëmijëve për qëllime seksuale. ECPAT përpiqet të sigurojë që fëmijët kudo gëzojnë të drejtat e tyre themelore, të lirë dhe të sigurtë nga të gjitha format e shfrytëzimit komercial seksual.
ECPAT International ka qenë në krye të diskutimit global mbi shfrytëzimin seksual të fëmijëve (CSEC) dhe njihet si një rrjet i fuqishëm advokacie për të drejtat e fëmijëve duke folur në emër të fëmijëve vulnerabël dhe fëmijëve viktima të shfrytëzimit seksual për më shumë se 25 vjet. Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni www.ecpat.net.