NJË PARLAMENT PËR TË GJITHË TË RINJTË NË TIRANË

NJË PARLAMENT PËR TË GJITHË TË RINJTË NË TIRANË

Të rinjtë nga gjimnazet e kryeqytetit prezantojnë dhe firmosin krijimin e Parlamentit Rinor Tiranë

Tiranë, 14 Qershor 2018 – Të rinjtë e gjimnazeve të kryeqytetit  prezantuan sot Parlamentin  Rinor të Tiranës, një strukturë kjo që do t’i vendosë ata në pozitat e deputetëve për të gjitha politikat rinore në Tiranë. Parlamenti u ideua dhe mbështet si një mekanizëm i domosdoshëm pjesëmarrjeje dhe mobilizimi për rininë, nga CRCA Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe Koalicionit për Arsimin në Shqipëri(ACE).

Parlamenti Rinor Tiranë është rrjeti më i madh i nxënësve të shkollave të mesme publike, të moshës 14-19 vjeç, të cilët vijnë së bashku për të përmirësuar pjesëmarrjen e tyre në debatet publike dhe proceset demokratike për të drejtat dhe përgjegjësitë. Parlamenti kur të arrijë anëtarësimin e tij të plotë do të përfshijë 5 nxënës nga çdo shkollë e mesme publike në Tiranë me një anëtarësi prej mbi 220 parlamentarësh të rinj. Parlamenti Rinor i Tiranës është strukturuar në bazë të modelit të Parlamentit Shqiptar dhe ka komisionet e tij.

Parlamenti do të promovojë të drejtat e nxënësve të shkollave të mesme dhe çështjeve të tyre në nivel lokal dhe kombëtar. Ai do të nxisë hartimin e politikave, ligjeve dhe programeve për mbështetjen e nxënësve të gjimnazeve në Tiranë e më gjerë. Parlamenti do të rrisë angazhimin dhe përfaqësimin e të rinjve në të gjitha fazat e vendimarrjes.

Gjimnazistët përgjatë prezantimit ngritën zërin për disa prej shqetësimieve kryesore për mbarë të rinjtë e Tiranës si bulizmi, diskriminimi, dhuna në shkolla dhe ambiente të tjera, varfëria ekonomike, dasitë shoqërore, etj. Në diskutimet e tyre ata u përfshinë edhe në çështjet prekëse të realitetit të sotëm si problemet në komunitet, në jetën e përditshme, në shkolla dhe në familje.

Para firmosjes së Aktit të Themelimit, Ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla, shprehu mbështetjen e institucionit që ajo përfaqëson për prezantimin e këtij parlamenti dhe njëkohësisht krijimin e një parlamenti kombëtar. “Ne i ftojmë të rinjtë kudo janë të angazhohen dhe të forcojnë llogaridhënien  e të gjithë zyrtarëve publikë duke u bërë pjesë e parlamenteve Rinore ’’- tha ajo.

Drejtori i CRCA, z. Altin Hazizaj, theksoi se : “Parlamenti Rinor Tiranë, do të përfaqësojë një zë të bashkuar të nxënësve të shkollave të mesme dhe do të punojë me autoritetet për të përmirësuar cilësinë e arsimit në shkollat, për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga dhuna, ngacmimet dhe shfrytëzimi, duke promovuar respektin për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve”.

Mbi 18,000 nxënës ndjekin arsimin e mesëm publik në Tiranë. Pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve ka një rëndësi të madhe për demokracinë. Ajo krijon një mjedis ku fëmijët dhe të rinjtë mund të shprehin lirisht pikëpamjet e tyre, informohen, informojnë të tjerët dhe vendosin së bashku me të rriturit për atë që është më e mira për ta. Ky mjedis përfshin edhe hapësirat ku fëmijët dhe të rinjtë mësojnë, ndajnë dhe ndërtojnë përvojat e tyre të vendimmarrjes, gjë që i përgatit ata për arsimimin e sotëm dhe të ardhëm, punësimin e tyre dhe kontribuon në reduktimin e pabarazive, diskriminimit apo përjashtimit social.

Për më tepër informacion kontaktoni CRCA Shqipëri, në adresën info@crca.al.

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL