
Tiranë, 17 Qershor 2020 – Shqipëria tashmë ka qendrën e saj të pare: Barnahus Shqipëri. Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Adoleshentëve nga Dhuna Seksuale (ACA),anëtare e rrjetit PROMISE që prej muaji mars 2020, tashmë ka një emër të ri: Barnahus Shqipëri (shtëpiza e fëmijëve). Ashtu si edhe më parë, në qendër ofrohen shërbime të koordinuara në mbrojtje të fëmijëve dhe të rinjve viktimave të dhunës seksuale. Ndërkohë BARNAHUS Shqipëri, ashtu si të gjithë simotrat e saj në Europë, do të punojë që intervistimi i fëmijëve që janë viktima të dhunës seksuale, të zhvillohet një herë të vetme brenda mjedisve të Barnahus, për ta përdorur intervistën më pas në të gjitha shkallët e gjykimit, duke e ndihmuar viktimën në trajtimin tërësor të tij/saj.
BARNAHUS Shqipëri, do të garantojë të gjithë fëmijët viktima të dhunës seksuale në Shqipëri dhe familjet e tyre në dhënien e të gjitha shërbimeve miqësore në trajtimin e traumës, krizës dhe mbështetjes psikologjike dhe ligjore në vijueshmëri.
Duke filluar nga shtatori dhe deri në fund të këtij viti, ekspertët e Barnahus Shqipëri do të përqasin të gjithë metodologjinë e këtij modeli gjerësisht të zbatuar në Europe. Ndërkohë që nga viti 2021, ekspertët ndërkombëtarë të Barnahus në Suedi do të zhvillojnë trajnime profesionale të nivelit universitar në fushat e intervistimit mjeko-ligjor dhe terapisë,në kuadër të programit të Rrjetit PROMISE,për stafin, ekspertët dhe partnerët e Barnahus Shqipëri me qëllim zbatimin e plotë të modelit Europian të kompetencave për Barnahus.
Promise, është rrjeti pan-Europian, që punon për t’i kthyer angazhimet kombëtare në veprime të drejtpërdrejta dhe angazhimet ndërkombëtare në procese të mirëfillta. Shqipëria u bë pjesë e Promise 3, që mbështetet edhe nga BE-ja, dhe që ka si qëllim shtrirjen e modelit të Barnahus në të gjiithë Europën duke zbatuar të gjitha standartet që kërkohen për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve viktima të dhunës dhe shfrytëzimit seksual.
Rrjeti ofron një bashkëpunim funksional dhe ndërinstitucional duke siguruar që fëmijët viktima dhe dëshmitarët e dhunës seksuale të përfitojnë nga një ndihmë e reagim miqësor ndaj tyre, professional, por edhe efektiv, në një mjedis të sigurt, i cili parandalon traumatizimin e viktimave.
Dhuna dhe ngacmimi seksual i fëmijëve është një realitet i papranueshëm. Sipas studimit mëtëmadh përdhunën ndaj fëmijëve në Europe (BECAN), rreth 11% e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale, ndërsa Vrojtimi Kombëtar i INSTAT “Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri”, raportoi se rreth 15 % e vajzave të moshës 18-24 vjeç përjetojnë dhunë seksuale aktualisht. Indeksi Global “Jashtë Hijeve” i The Economist Intelligence UNIT, në analizën e tij mbi 40 vende të botës, i dha zero pikë Shqipërisë për shkak të mungesës së mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale.
Për më shumë informacion, na kontaktoni:
Barnahus Shqipëri
Email: aca@crca.al