
Tiranë, 17 Prill 2020 –CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Facebook, vetëm në 3 ditët e fundit kanë bërë të mundur mbylljen e 74 faqeve pornografike me fëmijët, të identifikuara dhe të aksesueshme në facebook edhe nga Shqipëria. Raportimi fillestar u bë i mundur falë Platformës Kombëtare www.ISIGURT.AL, e cila ka marrë gjatë kësaj kohe një numër rekord ankesash nga fëmijët dhe të rriturit.
Pas verifikimeve paraprake, rezultoi se videot e hedhura në disa profile specifike në Facebook nuk janë të fëmijëve shqiptare, por ato ishin lehtësisht të aksesueshme nga fëmijët dhe menjëherë të gjitha u raportuan pranë Policisë së Shtetit, me të cilën CRCA Shqipëri ka një bashkëpunim të shkëlqyer, sidomos në fushën e krimeve kibernetike dhe seksuale kundër fëmijëve. Nga ana tjetër, mungesa e legjislacionit penal, e bën të pamundur për Prokurorinë Shqiptare që t’i ndjekë këto raste për të gjetur autorët e saj.
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, në lidhje me këtë situatë të paprecendentë, nënvizon se: “Është hera e parë që në ISIGURT.AL brenda një periudhe kaq të shkurtër kohe të raportohet një numër kaq i lartë i faqeve pornografike me fëmijë. Çdo faqe tashmë është mbyllur, por kjo na tregon se krimet seksuale kundër fëmijëve nuk duan t’ia dinë as për kufij. Pasja e një platforme si www.ISIGURT.Al, ku çdokush mund të raportojë krimet online kundër fëmijëve, mbase është një ndër arritjet më të mëdha që kemi patur gjatë viteve të fundit.”
Vitin e kaluar Facebook i dha CRCA/ECPAT Shqipëri statusin e partnerit të besuar, gjë që krijon mundësi të raportimit dhe lidhjes së menjëhershme ndërmjet të dy partnerëve, sidmos në rastet e hedhjes së postimeve, fotove apo videove me përmbajtje të paligjshme apo të dëmshme për fëmijën.
Kjo rritje e konsiderueshme mund të ketë ardhur edhe si shkak i karantinës, që jo vetëm iu mundëson njerëzve që të kenë kohë më të madhe në dispozicion për përdorimin e internetit, por edhe që i jep kohë e mundësi të gjithë grabitqarëve seksualë të gjejnë viktimat e tyre në internet dhe t’i përndjekin ato.
CRCA/ECPAT Shqipëri, prej 15-vjetësh është angazhuar në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve gjatë lundrimit të tyre në internet. Bashkëpunimi me platformat globale si Facebookdhe Google, ka bërë të mundur mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna, bulizmi dhe shfrytëzimi në internet edhe në Shqipëri, ndërkohë që autoritetet janë ende larg mbrojtjes së fëmijëve nga krimet seksuale në internet.