Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të reformojnë urgjentisht sistemin e sigurisë, kujdesit dhe mbrojtjes së fëmijëve të huaj të pashoqëruar, duke filluar me mbylljen e të gjitha shërbimeve shoqërore të pasigurta për ta, vendosjen përpara përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë lejuar kontrabandimin e fëmijëve të huaj të pashoqëruar në Shqipëri dhe rishikimin e VKM 111/2019 si një akt nën-ligjor që nuk përputhet tërësisht me ligjin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar!
Tiranë, 18 Tetor 2023 – Sot në mëngjes Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri), në kuadër të Ditës Europiane kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, bëri publike gjetjet dhe rekomandimet kryesore të Raportit “Të zhdukur në drejtim të paditur”, që përshkruan masat që kanë ndërmarrë autoritetet vendase për trajtimin, kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve të huaj të pashoqëruar, që kontrabandohen, kërkojnë azil apo trafikohen në Shqipëri gjatë periudhës 2019-2022.
CRCA/ECPAT Shqipëri gjatë periudhës Prill-Qershor 2023 realizoi një mision fakt-mbledhës në disa qarqe të vendit. Ekipi fakt-mbledhës i CRCA/ECPAT Shqipëri, vizitoi gjatë kësaj kohe pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës, ndërkohë që në nivel kombëtar u intervistuan zyrtarët publikë nga institucionet përgjegjëse për fëmijët e huaj të pashoqëruar, si nga policia e shtetit, institucionet qendrore dhe vendore në mbrojtje të fëmijëve, ashtu edhe nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve. Në të njëjtën kohë ekipi ynë ka qenë në kontakt me autoritetet e Malit të Zi dhe Kosovës po në lidhje me këtë çështje.
Si gjatë vizitave tona ashtu edhe nga intervistat e realizuara, rezulton se Shqipëria, pavarësisht përpjekjeve, nuk ka ndërtuar një sistem të sigurtë, të aftë dhe funksional që do të bënte të mundur Mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët e huaj të pashoqëruar. Nga të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit, rezulton se gjatë periudhës 2019-2022, autoritete ligj-zbatuese kanë arritur të identifikojë 68 fëmijë të huaj të pashoqëruar, të cilët kanë kaluar kufirin shqiptar në mënyrë jo të rregullt. Të gjithë këta fëmijë sot rezultojnë të zhdukur dhe asnjë zyrtar publik nuk ka informacion se ku janë këta fëmijë.
Sipas Raportit, si në aspektin ligjor, ashtu edhe atë organizativ, përpjeket e ndërmarra deri më tani nga autoritetet përgjegjëse, si në nivel qendror ashtu edhe atë vendor, rezulton të jenë në mos-përputhje ose në shkelje të hapur të legjislacionit vendas si dhe të VKM 111/2019. Ndonëse ligji për të drejtat e fëmijës, ligji për të huajt dhe VKM 111/2019 përcaktojnë qartazi detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, thuajse në të gjitha rastet e fëmijëve të huaj të pashoqëruar nuk janë ndjekur procedurat ligjore të kërkuara.
Fëmijët e huaj të pashoqëruar, në kundërshtim me ligjin, nuk janë vendosur në një mjedis të sigurt në Bashkinë ku ata identifikohen (Gjirokastër dhe Devoll thuajse në të gjitha rastet), nuk ju është caktuar kujdestari ligjor dhe nuk ju janë ofruar shërbimet e garantuara nga ligji. Në kundërshtim me kërkesat e VKM 111/2019, të gjithë fëmijët janë shoqëruar për në Tiranë dhe janë lënë nën kujdesin e një Qendër Emergjence që drejtohet nga një organizatë joqeveritare, që nga intervistat me zyrtarët publikë rezulton se nuk është e autorizuar sipas legjislacionit shqiptar nga autoritetet vendase për të ofruar kujdes, siguri dhe mbrojtje për fëmijët e huaj të pashoqëruar. Pyetjes sonë se kush e ka autorizuar vendosjen e fëmijëve të huaj të pashoqëruar në një mjedis privat, që nuk përmbush standartet e kërkuara të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve të huaj të pashoqëruar, autoritetet kombëtare dhe ato vendore nuk i dhanë përgjigje.
Sipas intervistës me drejtuesen e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Fëmijës (ASHMDF), “Qeveria shqiptare nuk ka marrëveshje me këtë Qendër për të ofruar shërbime të emergjencës apo të strehimit për fëmijët e huaj të pashoqëruar.” Ekipi i CRCA/ECPAT Shqipëri kërkoi zyrtarisht të intervistojë drejtuesit e kësaj Qendre, por ata nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për intervistë. Në lidhje me këtë Qendër, mbetet tërëisht e paqartë modus operandi – pra kush vendos për vendosjen e fëmijëve, kush autorizon, kush jep lejen për lëvizjen e fëmijëve dhe kush ka paguar për të mbuluar kostot e fëmijëve për t’u strehuar në këtë Qendër, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore.
Sipas të dhënave të mbledhura rezulton se gjatë periudhës 2019-2022, mbi 2000 fëmijë të huaj të shoqëruar dhe të pashoqëruar janë evidentuar nga autoritetet ligjzbatuese, shumica e tyre nga vende në konflikt, si Siria, Afghanistan, Irak, Iran, Palestinë etj. Ligji kërkon që fëmijët e huaj të pashoqëruar të merren në mbrojtje nga autoritetet vendore ku ata hyjnë, në koordinim me ASHMDF. Në çdo rast, nëse fëmija nuk bën kërkesë për azil në Shqipëri – dhe nga intervistat rezulton që shumicës së fëmijëve as ju është ofruar dhe as e kanë kërkuar azilin, autoritetet duhet të kujdesen për sigurinë, arsimin, mbrojtjen shoqërore etj., deri sa të vendoset nëse fëmija do të qendrojë në Shqipëri apo do të kthehet pranë familjes. Nga intervistat, ekipit të CRCA Shqipëri iu bë e qartë se kjo procedurë nuk është zbatuar asnjëherë.
Gjithashtu rezulton se fëmijët e huaj të pashoqëruar, ndërkohë që duhet të ishin vendosur në një institucion të përkujdesit shoqëror (jetimore ose qendra të specializuara për kujdesin ndaj tyre), t’ju ishte caktuar një kujdesar ligjor nga Gjykata dhe t’ju ishte miratuar plani individual i mbrojtjes (PIM), në të vërtetë nuk kanë gëzuar asnjë nga këto të drejta që ju garanton ligji.
Nuk ka asnjë të dhënë apo informacion zyrtar se çfarë ndodh me fëmijët e huaj të pashoqëruar pas vendosjes së tyre në Tiranë. Disa profesionistë besojnë se fëmijët janë zhvendosur drejt Malit të Zi dhe Kosovës, por kjo do të thotë se autoritetet në mënyrë të heshtur e kanë pranuar se ekziston një rrjet i mirë-organizuar i kontrabandistëve dhe trafikantëve të fëmijëve brenda Shqipërisë – një e dhënë që mungon në raportet shtetërore mbi trafikimin dhe kontrabandimin e brendshëm të fëmijëve. Sidoqoftë, zyrtarisht përtej denononcimit të bërë nga ana e organizatës mbi zhdukjen e fëmijëve, autoritetet policore nuk kanë deklaruar humbjen e fëmijëve të huaj të pashoqëruar apo shpalljen e tyre në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, sipas kërkesave të ligjit.
“Kemi të bëjmë me një krim të organizuar që ka shtrirë kontrollin e tij tek të gjithë fëmijët e huaj të pashoqëruar që hyjnë në Shqipëri. Neglizhenca e autoriteteve për të mbrojtur dhe për t’u kujdesur për të këta fëmijë, e bën Policinë po aq fajtore në kontrabandimin apo trafikimin e e tyre. Të gjithë këta fëmijë janë të rrezikuar nga trafikimi për qëllime të shfrytëzimit seksual, për skllavëri, marrjen e paligjshme të organeve apo edhe akte të terrorrizmit. Autoritetet duhet urgjentisht të adresojnë këtë çështje, bazuar edhe në rekomandimet e Raportit” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.
Policia e Shtetit raportoi se po gjatë të njëjtës periudhë janë ndaluar apo arrestuar 1127 shtetas shqiptarë dhe të huaj për kontrabandim të qënieve njerezore, shumica e tyre janë ndjekur dhe gjykuar në gjendje të lirë.
Shqipëria është shtet-palë i Konventës për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së që prej vitit 1992. Në këtë kuadër Shqipëria e ka për detyrë që të ndërtojë një sistem të kujdesit dhe trajtimit të fëmijëve të huaj të pashoqëruar sipas rekomandimeve të Komentit të Përgjithshëm Nr. 6 (2005) të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës në Gjenevë, “Për trajtimin e Fëmijëve të ndarë apo të pashoqëruar që ndodhen jashtë vendit të tyre të origjinës”.
Nisur nga këto fakte të evidentuara në Raport, CRCA/ECPAT Shqipëri ka këto rekomandime për Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë Shqiptare, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale:
- Mbylljen e menjëhershme të të ashtëquajturës Qendër Emergjence që ka strehuar apo vazhdon të strehojë fëmijë të huaj të pashoqëruar, deri në gjetjen e një zgjidhjeje ligjore që garanton sigurinë, mbrojtjen dhe respektin e të drejtave të fëmijës, sipas përcaktimeve të Komitetit për të Drejtat e Fëmijes të OKB-së dhe atyre të Këshillit të Europës. Fëmijëve të huaj të pashoqëruar duhet të trajtohen si fëmijë azil-kërkues dhe ata duhet të mbahen në mjediset e Qendrës Kombëtare për Azil-kërkuesit, deri në hapjen e një Qendre kombëtare për fëmijët e pashoqëruar vendas apo të huaj;
- Hapjen e një hetimi kombëtar të udhëhequr nga Grupi i Deputetëve Miqtë e Fëmijëve të Kuvendit të Shqipërisë për të evidentuar shkeljet ligjore dhe vënien përpara përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë lejuar apo mbyllur sytë përballë kontrabandimin të fëmijëve të huaj të pashoqëruar brenda territorit të Shqipërisë;
- Krijimin e një Task-Force nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që do të adresonte të gjitha problemeve të vërejtura në zbatimin e ligjit, si dhe gjetjen e zgjidhjeve praktike për koordinimit ndër-institucional me autoritetet shtetërore në Greqi, Mal të Zi dhe Kosovë, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare.
- Rishikimin urgjent të VKM Nr. 111 të datës 6.3.2019, “Për procedurat dhe rregullat për rikthimin e riatdhesimin e fëmijës”, e cila ekspozon fëmijët e huaj të pashoqëruar në shkeljen e të drejtave të tyre bazë.
CRCA/ECPAT Shqipëri është e gatshme të ofrojë mbështetjen dhe ekspertizën e saj më të mirë në drejtim të përmirësimit dhe ndryshimit të kësaj situate, e cila duhet bërë urgjentisht. Autoritetet shtetërore, edhe në kuadër të axhedës së integrimit europian, duhet të adoptojnë standartet bazë të BE-së për kujdesin ndaj fëmijëve të huaj të pashoqëruar.