
Tiranë, 21 Qershor 2019 – Dita Ndërkombëtare kundër Bullizmit në Internet paraqet për Shqipërinë, shifra ende shqetësuese për situatën në të cilën ndodhen fëmiijët dhe të rinjtë. Të dhënat e Platformës Kombëtare www.ISIGURT.AL tregojnë se rreth 60 % e fëmiijëve dhe të rinjve që kanë denoncuar, deklarojnë se janë të kërcënuar nga bullizmi online.
Numri i fëmijëve dhe të rinjve që janë kërcënuar nga bulizmi, vjedhjes së identitetit, ngacmimeve e dhunës seksuale në internet, po rritet nga viti në vit. Përgjatë viteve 2016-2018, pranë platformës janë denoncuar mbi 300 raste të fëmijëve dhe të rinjve, nga të cilat rreth 62% e tyre kanë hasur bullizëm on-line. E njëjta situatë shënohet edhe gjatë vitit 2019, ku nga Janari – Qershor 2019, nga 35 raste të denoncuara, 60% e tyre janë të lidhura me gjuhën e urrejtjes, kërcënime dhe shantazhe online.
Sipas Raportit të 1 Kombëtar për sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve në internet “Krime pa Ndëshkim”, dy platformat kryesore të ankesave të fëmijëve dhe adoleshentëve për dhunë, bulizëm, abuzim apo vjedhje të profilit, janë Youtube 33% dhe Instagram 43 %.
Mungesa e parashikimeve dhe rregullimeve ligjore në Kodin Penal e bën tepër të vështirë mbrojtjen online të fëmijëve dhe të rinjve. Në Ditën Ndërkombëtare për Bullizmin on-line, CRCA/ECPAT Shqipëri, vijon të ngrejë shqetësimin kryesor të saj. Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisionet Parlamentare duhet që sa më shpejt të miratojnë të gjitha propozimet dhe ndryshimet që CRCA ka bërë që në vitin 2016.
Dita Ndërkombëtare për Bullizmin, shërben edhe si një moment për të ndërgjegjësuar opinionin e gjerë për pasojat që vijnë nga përdorimi i internetit në mënyrë të pasigurt. Sipas Organizatës Cyberbullying.org rreth 34 % e fëmijëve dhe adoleshentëve, raportojnë të jenë viktima të bullizmit on-line, ndërsa 15 % pranojnë se kanë kryer bullizëm te të tjerët.
Në këtë ditë, thirrja jonë kryesore për fëmijët, të rinjtë dhe çdo përdorues të internetit është ; RAPORTO ÇDO INCIDENT te Platforma Kombëtare www.ISIGURT.AL
CRCA/ECPAT Shqipëri është e vetmja organizatë kombëtare e specializuar për çështjet e internetit të sigurtë, që prej muajit Tetor 2018 ka hapur Qendrën Kombëtare për Internet të Sigurt, një njesi e specializuar për ndjekjen dhe studimin e krimeve në botën virtuale dhe sesi ato ndikojnë në sigurinë e përgjithshme të vendit dhe të shoqërisë.