Tiranë, 7 Maj 2014- ‘Lidershipi i të Rinjve të Tiranës’ në bashkëpunim me ‘Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut’ dhe mbështetje të ‘Olof Palm International Center’ organizuan sot në ambientet e Hotel Tirana International, Forumin për ‘Formalizimin e Rrjetit Rinor Lidershipi i të Rinjve të Tiranës’.
Ky Forum si rrallë herë më parë, bëri bashkë 27 organizata/grupime rinore të shoqërisë civile dhe 5 forume politike rinore që operojnë në nivel lokal, të cilat shprehën dëshirën dhe angazhimin e tyre për të ndërrmarrë veprime e iniciativa të përbashkëta në interes të të gjithë të rinjve në qytetin e Tiranës, pavarësisht bindjeve politike, statusit ekonomik, social, orientimit seksual, identietit gjinor, aftësive apo grupimeve, në të cilat ata bëjnë pjesë.
Qëllimi i këtij Forumi ishte njohja dhe prezantimi me të gjithë anëtarët e ‘Lidershipit të të Rinjve të Tiranës’ si edhe nënshkrimi i Letrës së Angazhimit me të gjithë anëtarët e rrjetit, akt ky që çoi në formalizimin e këtij rrjeti rinor.
Z. Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i HRH/CRCA Shqipëri, në fjalën e tij tha se: “Platforma ‘Lidershipi i të Rinjve të Tiranës’ është shembulli më pozitiv për të gjithë politikanët dhe shoqërinë në tërësi përsa i përket frymës së bashkëpunimit midis të rinjve në qytetin e Tiranës” Sipas Z. Hazizaj nëse bashkëveprojmë me njëri-tjetrin do të jemi një zë më i fuqishëm për adresimin e interesave dhe prioriteteve të të rinjve si në qeverisjen lokale ashtu edhe në atë qëndrore.
Forumin e ndoqi edhe  Z. Aldrin Dalipi, Kryetar i Këshillit Bshkiak Tiranë, i cili theksoi se: “‘Lidershipi i të Rinjve të Tiranës’ ka qënë dhe do vazhdojë të jetë një strukturë këshilluese dhe ndihmuese e Këshillit Bashkiak, mbi çështjet/prioritetet/problematikat që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me të rinjtë e qytetit të Tiranës.” Ai shprehu angazhimin e tij për formalizimin e një Bordi Këshillimor Rinor pranë Këshillit Bashkiak Tiranë.
Në vijim, të takimit u bë një prezantim i misionit dhe fokusit të ‘Lidershipit të të Rinjve të Tiranës’ dhe të 32 organizatave/grupimeve/forumeve rinore pjesë përbërëse e tij.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Këshillit Bashkiak, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Medias, studenët, të rinj, etj.
Për  më shumë informacion, kontaktoni:
Klaudio Pulaha
HRH, Lidershipi i Të rinjve të Tiranës
Tel: 0675002021
E-mail: klaudio.pulaha@crca.al


Detajet e Lajmit
May 7, 2014
289
Kategoria