16.04.2018- Prej ditës së sotme, 18 familje të komunitetit rom në Njësinë Administrative Nr. 6 / Kombinat, do të furnizohen çdo ditë me ujë të pijshëm, pas 1 viti e gjysëm mungesë! Zgjidhja e këtij problemi erdhi falë raportimit dhe ngritjes si shqetësim nga Zyra për Mbrojtjen Ligjore të Fëmijëve dhe të Rinjve në Shqipëri tek Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.
Zyra për Mbrojtjen Ligjore dhe CRCA Shqipëri për më shumë se një muaj kanë ndjekur hap pas hapi zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm të 18 familjeve në fjalë, duke i’u drejtuar institucionalisht Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT). Vlen për t’u theksuar fakti se UKT, menjëherë pasi u vu në djeni të problemit, mori masat e nevojshme dhe më në fund, 18 familje, 52 fëmijë të komuniteti rom do të kenë ujë të pijshëm pas 1 viti e gjysëm mungesë!
Mungesa e ujit të pijshëm, përpara disa ditësh siç edhe është raportuar dhe ndjekur nga Zyra për Mbrojtjen Ligjore dhe CRCA Shqipëri, shkaktoi probleme të theksuara me higjenën dhe përhapjen e epidemisë në këto familje! Disa prej fëmijëve u prekën nga fruthi dhe infeksione të ndryshme ngjitëse; 52 fëmijë të komunitetit rom u prekën nga parazitë dhe për rrjedhojë braktisën kopshtet dhe shkollat.
Për sa më sipër, ditët në vijim CRCA Shqipëri do të ndjekë nga afër procesin e lidhjes së kontratave të shërbimit për furnizimin me ujë të pijshëm të 18 familjeve, duke koordinuar punën me Bashkinë Tiranë dhe Njësisë Nr. 6 të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë. CRCA Shqipëri, referuar dhe udhëzimeve të fundit të Bashkisë Tiranë po punon së bashku me këtë të fundit që kontratat për 18 familjet e komunitetit rom që trajtohen me ndihmë ekonomike, të mund të lidhen falas!
Zyra për Mbrojtjen Ligjore dhe CRCA Shqipëri falenderon së tepërmi z. Redi Molla – Drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizime Tiranë si dhe të gjithë inxhinierët dhe punonjësit e këtij institucioni për gadishmërinë dhe bashkëpunimin e treguar për zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi.
Për më shumë informacion, kontaktoni: Klaudio Pulaha, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, tel: 067 500 20 21, E-mail: klaudio.pulaha@crca.al