
Tiranë 22 Tetor 2014 – Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të Drejtave të Njeriut/CRCA Shqipëri vazhdojnë procesin përzgjedhës për Çmimin “Gruaja e Vitit 2014”. Kjo iniciativë, e lançuar në fillim të muajit Tetor, ka për qëllim të fuqizojë kauzën e të drejtave dhe avancimit të grave dhe vajzave në Shqipëri, si një mjet që kontribuon në evidentimin dhe mbështetjen e tyre në fusha të vështira shoqërore si politika, ekonomia/biznesi dhe shoqëria civile.
Faza e parë e procesit kishte të bënte me nominimin online të emrave të grave dhe vajzave që kanë dhënë kontributin e tyre përgjatë vitit 2014 në vendin tonë, në tre kategori: Gruaja e Vitit 2014 në Politikë;Gruaja e Vitit 2014 në Ekonomi/Biznes; Gruaja e Vitit 2014 në Shoqëri Civile. Kjo fazë zgjati dy javë dhe në përfundim të saj rezultuan rreth 90 aplikime me 46 emra të nominuar në të tre kategoritë. Kategoria Gruaja e Vitit 2014 në Shoqëri Civile ka numrin më të lartë të nominimeve me 23 emra, e ndjekur nga Kategoria Gruaja e Vitit 2014 në Politikë me 16 emra dhe Kategoria Gruaja e Vitit 2014 në Ekonomi/Biznes me 7 emra.
Pas një përzgjedhje paraprake të emrave të nominuar nga anëtarët e Koalicionit, vlerësimi për të vazhduar garën e votimit online do të bëhet nga një juri me përfaqësim gjithëpërfshirës nga të tre sektorët. Më pas propozimet e zgjedhura do të votohen e vlerësohen online nga publiku i gjerë për një periudhë një mujore. Në muajin Dhjetor, në një Aktivitet të madh Publik, do të lançohen dhe ndahen çmimet sipas tre kategorive.
Dhënia e këtij çmimi, do të synojë të shërbejë gjithashtu si një nxitje për gratë dhe vajzat në fushat e sipërpërmendura për të mbështetur dhe përkrahur gra dhe vajza të tjera, në vitet në vijim, të cilat dëshirojnë të punojnë e kontribuojnë në politikë, shoqëri civile dhe ekonomi.
Çmimet organizohen nga Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të Drejtave të Njeriut/CRCA Shqipëri, në partneritet me The Olof Palme International Centre dhe me financim të Qeverisë Suedeze.