VOTO PËR 16!

VOTO PËR 16!

PETICION

Shqipëria të ulë moshën e votimit në 16 vjeç! Adoleshentët duhet të jenë në gjendje të votojnë për të drejtat e tyre!

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në Europë që njohu të drejtën e votës për grate, në vitin 1920. Tani është radha e adoleshentëve!

Kudo në Europë po kërkohet ulja e moshës së votimit nga 18 në 16 vjeç. Në vende si Gjermania, Austria, Skocia, Norvegjia, SHBA etj., tashmë adoleshentët gëzojnë këtë të drejtë në zgjedhje vendore apo edhe kombëtare. Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, si dhe politikanë progresistë po promovojnë të drejtën e votës për adoleshentët mbi 16 vjeç.

Zhvillimi i vendit, aksesi në arsim, teknologji, në vendim-marjen në komunitet dhe në shkolla, i ka ekspozuar adoleshentët mjaftueshëm për të qenë të ndërgjegjshëm dhe për të vendosur për veten dhe interesat e tyre.

Në këtë kuadër, CRCA Shqipëri i drejton këtë Peticion Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjitha partive politike parlamentare me këto kërkesa:

  1. Uljen e moshës së votimit në 16 vjeç për zgjedhjet vendore;
  2. Caktimin e kuotës minimum 10% në Kodin Zgjedhor, për përfaqësimin e të rinjve në Kuvend, Bashki dhe Këshilla Bashkiakë. 

Ka një sërë argumentash pse duhet lejuar votimi në moshën 16 vjeç:

  • Ulja e moshës së votimit fuqizon demokracinë.
  • Adoleshentët dhe të rinjtë vuajnë një standard të dyfishtë të përgjegjësive, por jo të të drejtave të tyre.
  • Në Shqipëri, Ligji dënon penalisht çdo person mbi moshën 14 vjeç, ndërkohë, ne nuk ju njohim të drejtën e votimit në moshën 16 vjeç.
  • Adoleshentët dhe të rinjtë paguajnë taksa dhe zbatojnë ligjet njësoj si çdo qytetar tjetër i rritur.  Ata duhet të gëzojnë të drejtën e votës!
  • Politikanët do të përfaqësojnë më mirë interesat e adoleshentëve dhe të të rinjve, nëse ata do të mund të votojnë.
  • Adoleshentët do të kenë një mundësi unike në jetën e tyre, sepse do të marrin përgjegjësi për të vendosur për të ardhmen dhe interesat e tyre.
  • Të rriturit sot vendosin për çështjet dhe të drejtat e adoleshentëve, pse të mos vendosin ata për veten e tyre?! Nuk ka asnjëherë vota të gabuara!

Ne ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë, të rinj e të reja, deputetë dhe ministra për t’iu bashkuar këtij Peticioni dhe për t’i dhënë një perspektivë të re demokracisë dhe të rinjve në Shqipëri.

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL