Sistemi gjyqësor dhe i mbrojtjes sociale janë dorëzuar përpara grabitqarëve seksualë!

Sistemi gjyqësor dhe i mbrojtjes sociale janë dorëzuar përpara grabitqarëve seksualë!

Rrjeti Kombëtar “Vepro Për Fëmijët” shpreh indinjatën mbi dënimin e lehtë të dhënë për dhunuesin e vajzës 15 vjeçare

Rrjeti Kombëtar “Vepro për Fëmijët” me anë të kësaj deklarate publike kërkon të shprehë indinjatën dhe shqetësimin e tij, në lidhje me dënimin e lehtë dhe të pabazuar në ligj, që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka dhënë për rastin më të fundit të dhunës seksuale ndaj një të miture 15 vjeçare në qytetin e Pogradecit.

Ne mendojmë se, si Prokuroria ashtu edhe Gjykata e Rrethit, kanë bërë gabime esenciale në trajtimin dhe gjykimin e një vepre penale, pasojat e së cilës i vuan një fëmijë 15 vjeç, familja dhe komuniteti.

Pavarësisht se informacioni dhe dosja në lidhje me këtë çështje nuk janë bërë ende publike, ne vërejmë me shqetësim se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka dhënë një dënim të pajustifikuar prej 4.8 vite burg për një 54 vjeçar që ka përdhunuar një të mitur 14 vjeçare, duke shkaktuar edhe shtatëzaninë e saj. Ne vërejmë se, në këtë rast, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë:

  • Nuk ka marrë në shqyrtim rrethanat rënduese të veprës penale;
  • Ka pranuar në mënyrë të gabuar kërkesën për gjykimin e shkurtuar;
  • Ka gabuar në klasifikimin e veprës penale;

Të gjitha këto gabime esenciale lejuan sot që një grabitqar seksual të përfitojë nga drejtësia një dënim më të ultë, krahasuar me atë që rekomandon Kodi Penal në vendin tonë. Nuk është hera e parë që drejtësia në Shqipëri i braktis fëmijët përballë grabitqarëve seksualë. Të dhënat nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë tregojnë se gjykatat arrijnë të japin dënime vetëm për gjysmën e rasteve të dhunës seksuale në Shqipëri.

Ne jemi po ashtu të revoltuar për faktin se Bashkia e Pogradecit dhe Agjensia Kombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, nuk e kanë marrë në mbrojtje viktimën dhe nuk i kanë ofruar minimumin e shërbimit psiko-social të nevojshëm për trajtimin e traumave që shoqërojnë rastet e dhunës seksuale. Rasti në fjalë, është raportuar nga CRCA Shqipëri dhe ALO 116, pranë Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve Pogradec, që prej datës 15 Tetor 2017, ne ende nuk zotërojmë asnjë raport nga ana e këtyre insitucioneve së çfarë ka ndodhur me rastin dhe si është trajtuar ai!

Ne kemi që në vitin 2016 që I kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë miratimin e ndryshimeve të Kodit penal për dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe të miturve. Sot e kësaj dite, ende ligjvënësit, nuk i kanë miratuar këto ndryshime, gjë që tregon se grabitqarët seksualë janë më të mbrojtur përballë fëmijëve në vendin tonë.

Rrjeti Kombëtar “ Vepro Për Fëmijët” sot kërkon publikisht nga:

  1. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, të apelojë urgjentisht vendimin e dhënë nga gjykata, duke kërkuar rritjen e dënimit për përsonin që një vit më parë përdhunoi një vajzë të mitur 15 vjeçare në Pogradec.
  2. Kuvendi i Shqipërisë, me procedurë të përshpejtuar të miratojë ndryshimet e kërkuar në Kodin Penal dhe në Kodin e Procëdurës Penale
  3. Agjensia Kombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëvetë marrë në mbrojtjen të menjëhershme vajzën 15 vjeçare dhe të paguajë të gjitha kostot e trajtimit psiko-social, strehimit dhe kujdesit ndaj saj.

Ndërkohë që ne si Shoqëri civile, në datë 6 Qershor, ora 11.30 do të protestojmë përpara zyrave të Kuvendit të Shqipërisë, për të treguar që ne nuk e pranojmë padrejtësinë ndaj fëmijëve dhe apatinë e të gjitha institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL