Barazia E Grave Në Politikë Nuk Është në Shitje!

Tiranë, 8 Mars 2013- Ne, përfaqësuesit e Koalicionit për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri, të koalicioneve partnere, të grupeve politike të të rinjve dhe grave nga e gjithë Shqipëria, që punojmë për arritjen e barazisë gjinore, avancimin, përfaqësimin politik dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në Shqipëri, kemi dalë sot në këtë Manifestim, për të protestuar ndaj vendimit të KQZ-së për penalizimin e subjekteve zgjedhore vetëm me gjobë dhe duke mos kërkuar nga forcat kryesore politike zbatim rigoroz të kuotës gjinore.

Përcaktimi i Kodit të Ri Zgjedhor, sipas ndryshimeve të fundit, për t’i imponuar çdo force politike që në listat e tyre të kandidatëve të ketë 30% nga gjinia më pak e përfaqësuar dhe në çdo tre emrat e parë një kandidate grua, nuk është më detyrues në zbatim.

KQZ-ja, gjatë miratimit të udhëzimit për dokumentacionin që duhet të shoqërojë listat shumë emërore të partive, ka vendosur që për të gjitha ato subjekte zgjedhore që nuk plotësojnë kriterin e barazisë gjinore të gjobiten me vlerë monetare për këtë shkelje, por pa patur të drejtë të refuzojë listën e kandidatëve. Aspekti më shqetësues i vendimit të KQZ-së është fakti se ky institucion ka pranuar pa asnjë lloj reagimi apo vendosmërie që të drejtat e grave për pjesmarrje dhe përfaqësim në jetën politike të Shqipërisë të shkelen me të dy këmbët. KQZ-ja ka për detyrë që të kërkojë shpjegime nga partitë politike në lidhje me mos-zbatimin e kuotës gjinore dhe jo ta shesë kauzën e barazizë gjinore dhe atë të zhvillimit të Shqipërisë për 10 milionë lekë të vjetra. KQZ-ja ka pranuar publikisht, për shkak të presionit të dy partive politike më të mëdha në vend, që çdo forcë politike të paguajë një gjobë prej 10 milionë lekësh të vjetra dhe mund të regjistrojë në KQZ çdo listë shumë emërore rajonale, pavarësisht nëse ajo nuk e plotëson kriterin e përfaqësimit gjinor.

Edhe pse gratë janë grupi më i madh shoqëror në vend, ato vazhdojnë të mbeten në këtë mënyrë gjinia më pak e përfaqësuar dhe më e diskriminuar në politikë dhe në vendimmarrje. Burrat ende vazhdojnë të vendosin për gratë, ndërsa forcat politike, të cilat shprehin publikisht angazhimin e tyre për rritjen e pjesmarrjes së grave në politikë, vazhdojnë të tallen me to. 

Sot është dita kur ne të gjithë protesojmë për këtë padrejtësi që bëhet ndaj motrave, nënave, shoqeve dhe grave të këtij vendi. Gratë as kanë qenë e as janë në shitje në këtë vend dhe partitë politike duhet ta kuptojnë se duke kërkuar t’i shesin gratë për 10 milionë lekë ato vetëm do të humbasin elektoratin dhe mbështetjen e gjerë të publikut.

Ne përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe organizatave jo-qeveritare, që jemi prezent këtu në këtë protestë nuk do të pranojmë asnjëhere një trajtim diskriminues dhe jo dinjitoz të grave dhe vajzave të këtij vendi. Politika është një çështje e të gjithë qytetarëve ndaj gratë duhet të marrin vendin e tyre të duhur në politikë dhe në vendim-marrje.

NE SOT JEMI KËTU QË TË KËRKOJMË NGA KOMISIONI QËNDROR I ZGJEDHJEVE DHE NGA PARTITË POLITIKE NË SHQIPËRI SA MË POSHTË:

  1. KQZ të marr të gjitha masat për të bërë qendrimin e saj publik dhe të kërkojë llogari nga të gjitha partitë politike që do paraqesin kandidatë në zgjedhje, në rast se ato nuk zbatojnë kuotën gjinore në listat e kandidatëve, siç kërkohet në Kodin Elektoral;
  2. Partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e 23 Qershorit të zbatojnë rigorozisht kuotën gjinore në listat e kandidatëve për të përmbushur angazhimet e tyre publike në mbështetje të grave dhe vajzave në politikë;

Shqipëria moderne dhe Europiane nuk mund të qeveriset më nga parti politike, të cilat nuk respektojnë statusin, vlerat dhe arritjet e gjithanshme të gruas në shoqërinë tonë.

Ne jemi të vendosur që të përdorim të gjitha mjetet demokratike të pjesmarrjes, por edhe të protestës e presionit publik që të arrijmë në pjesmarrjen dhe përfaqësimin dinjitoz të grave dhe vajzave në Parlamentin e ardhshëm dhe në vendim-marrjen politike në Shqipëri.

Për këtë qëllim ne si shoqëri civile, si koalicione dhe rrjete të organizatave joqeveritare, si individë të lirë të këtij qyteti dhe vendi, do të punojmë në përmbushje të qëllimit tonë final, atë të arritjes së barazisë së vërtetë midis burrave dhe grave në Shqipëri!