Dialog

Dialog

Kuvendi i Shqipërisë ka për detyrë të mbrojë fëmijët nga pedofilët!

LETËR E HAPUR

Mirato Regjistrin Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Krimet Seksuale!

Drejtuar: Deputëtëve të Kuvendit të Shqipërisë

Për dijeni: Z. Ilir Meta – Kryetar

Kryetar i Kaukusit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Kuvendi i Shqipërisë

I / E nderuar znj. / Z.,

Krimet seksuale përbëjnë një ndër krimet dhe shkeljet më të rënda për integritetit fizik, moral dhe emocional të fëmijëve duke tjetërsuar çdo aspekt të qënies dhe të të drejtave të tyre. Kjo shkelje merr forma nga më të ndryshmet, si nga incesti brenda në familje, ashtu edhe në forma të krimit të organizuar, grupeve të grabitqarëve seksuale, trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve, krimeve kibernetike, pornografisë etj. Çdo prind, e kupton se nga çfarë krimesh monstruoze rrezikohen fëmijët tanë dhe e ardhmja e tyre. Vetëm këtë javë media njoftoi se 3 fëmijë ishin bërë viktima të dhunës seksuale në familje dhe shoqëri.

Studimi Epidemiologjik Ballkanik mbi Abuzimin dhe Neglizhimin e Fёmijёve (B.E.C.A.N) në Shqipëri, nxjerr në pah se 11% përqind e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të ngacmimeve seksuale, ndërsa thuajse 5% e fëmijëve deklaruan se janë viktima të dhunës seksuale. Nga të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit raportohet se janë zbuluar në vitin 2013, 85 krime seksuale dhe nga këto sistemi i drejtësisë ka çuar 54 çështje për gjykim dhe vetëm 38 janë dënuar. Për vitin 2014 Policia e Shtetit raporton se janë zbuluar 54 raste të krimeve seksuale, pak më shumë se gjysma në krahasim me vitin 2013. Duhet theksuar se nëse çështjet për gjykim në lidhje me nenin 100/1 dhe 100/2, marrëdhënie sekuale me të mitur, kanë qënë 23 raste, nga të dhënat zyrtare të sistemit gjyqësor nuk rezulton asnje i dënuar për këto vepra penale.

Nisur nga eksperienca e vendeve të Bashkimit Europian, si: Britania e Madhe dhe Franca, CRCA Shqipëri në bashkëpunim me ALO 116 dhe një serë organizatash dhe institucionesh që punojnë për mbrotjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, kanë bashkuar forcat e tyre për të përgatitur një propozim ligjor, i cili do të çojë drejt krijimit të Regjistrit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Krimet Seksuale.

Regjistri do të funksionojë si një databazë e të dhënave të personave rezidentë në Shqipëri dhe që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga ana e gjykatave vendase apo edhe në vende të tjera, për vepra penale seksuale ndaj fëmijëve. Ai kërkon të  jetë një mjet në duart e shtetit dhe shoqërisë shqiptare për të mbrojtur fëmijët nga pedofilët apo çdo person që mund të shfrytëzojë seksualisht fëmijën. Ai është një masë parandaluese që shteti dhe shoqëria ndërtojnë së bashku, për të kufizuar maksimalisht aksesin që pedofilët dhe grabiqarët seksualë duan dhe kërkojnë të kenë tek fëmijët.

Nisma ligjore që mbështet krijimin e regjistrit po përgatitet me asistencë të ekspertëve më të mirë juridikë të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri në konsultim me shoqërinë civile dhe institucionet publike që punojnë për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri. Ajo po konsultohet edhe me përfaqësues të misioneve të huaja policore dhe asistencës ligjore prezente në Shqipëri, ndërkohë që shumë shpejt ne duam që këtë nismë t’ia paraqesim juve si deputetë për të kërkuar mbështetjen tuaj për ta propozuar këtë nismë legjislative për diskutim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Megjithatë, si deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, paraprakisht ju mund të ndërmerrni një sërë hapash për të kuptuar gjendjen ekstreme dhe të rëndë ku jetojnë fëmijët që i kanë mbijetuar dhunës seksuale ndaj tyre, duke ndërmarre veprimet e mëposhtme:

  1. Takohuni me përfaqësues të shoqërisë civile që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve dhe kërkoni informacion mbi dhunën seksuale apo çdo formë tjetër dhune ndaj fëmijëve;
  2. Kërkoni të dhëna dhe informacion me shkrim nga Ministritë e linjës që t’ju raportojnë se çfarë programesh buxhetore ka sot Qeveria Shqiptare dhe Ministritë për mbrojtjen dhe rehabilitimin e fëmijëve, viktima të dhunës seksuale, cilat janë shifrat e raportimeve zyrtare dhe të dënimeve të atyre që dhunojnë seksualisht fëmijët, cilat janë shërbimet e ofruara nga shteti për mbrojtjen e fëmijëve viktima të dhunës seksuale;
  3. Ndihmoni në organizimin e seancave të hapura dëgjimore në çdo komision apo nën-komision të Kuvendit të Shqipërisë funksionimi i të cilave ka lidhje me fëmijët dhe të drejtat e tyre;
  4. Bashkoni zërin tuaj me atë të organizatave të shoqërisë civile për të ndërgjegjësuar institucionet e zbatimit të ligjit, familjet dhe shoqërinë në lidhje me rëndësinë e raportimit të dhunës seksuale ndaj fëmijëve;
  5. Kërkoni ngritjen e shërbimeve lokale dhe kombëtare për asistimin e fëmijëve viktima të dhunës seksuale dhe të prindërve të tyre, në nivel komunitar dhe bashkiak, si dhe kërkoni nga Ministritë përkatëse të krijojnë programe të reja buxhetore për mbrojtjen dhe përkujdesjen e fëmijëve viktima të dhunës seksuale;
  6. Kur projekt-ligji për ngritjen e Rregjistrit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Krimet Seksuale të vij në Kuvend për miratim, votoni për mbrotjtjen e fëmijëve tuaj dhe tanë nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë!

Ne shprehim gadishmërinë tonë që të punojmë me Kuvendin dhe deputetet për të bërë të mundur eleminimin e të gjitha formave të dhunës dhe keqtrajtimit të femijëve si dhe mbështetjen e çdo iniciative që Kuvendi dhe deputetet mund të ndërmarrin në këtë drejtim.

Sinqerisht,

  1. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fwmijëve në Shqipëri (CRCA)
  2. Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri
  3. Linja Kombëtare e Telefonit të Fëmijëve – ALO 116
  4. Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri (ACCE)
  5. Koalicioni Shqiptar kundër Trafikimit dhe Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve (ACTSEC)

SFONDI I ÇËSHTJES

1.     Dhuna seksuale ndaj fëmijëve

Në datë 16 Mars 2013 një fëmijë në zonën e Laprakës humbi nga kontrolli i prindërve dhe vetëm ditën e neserme falë një kontrolli të rastësishëm u gjet në shtëpinë e një personi që dyshohet se ka kryer krime seksuale kundër fëmijëve edhe më parë. Ndër të tjera Julian Çela, një tjetër fëmijë që banonte në të njëjtën lagje,  dyshohet se është vrarë dhe më pas depozituar në plehra, nga i njëjti person. Në të gjithë vendin ka me dhjetra raste të dhunës, krimeve seksuale, vrasjeve dhe keqtrajtimit të fëmijëve. Aishe Vata, Nazime Visha, janë ndër të tjera, viktima të krimeve seksuale të pedofilëve ndaj fëmijëve në Shqipëri.

Studimi Epidemiologjik Ballkanik mbi Abuzimin dhe Neglizhimin e Fёmijёve (B.E.C.A.N) në Shqipëri, të dhënat e të cilit u publikuan në Janar 2013, tregoi se dhuna ndaj fëmijëve është një fenomen i përditshëm për shumë fëmijë në Shqipëri. Sipas studimit 11% përqind e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të ngacmimeve seksuale, ndërsa thuajse 5% e fëmijëve deklaruan se janë viktima të dhunës seksuale.

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri-CRCA në përgjigje të ngjarjeve të rënda të pedofilisë dhe krimeve me sfond seksual në Shqipëri, prej vitesh i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë, ngritjen e Regjistrit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Krimet Seksuale. Ky regjistër, nisur nga shëmbulli i një serë vendeve të BE-së, duhet të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar pedofilinë dhe për të mbrojtur fëmijët nga cdo formë e dhunës dhe ngacmimit seksual.

2.     Çfarë është dhe si funksionon Regjistri i të Dënuarve për Krime Seksuale

Regjistri Kombëtar i të Dënuarve për Krime Seksuale kundër Fëmijëve është një mjet në duart e shtetit dhe shoqërisë shqiptare për të mbrojtur fëmijët nga pedofilët apo çdo person qe mund të shfrytëzojë seksualisht fëmijën. Ai është një masë parandaluese që shteti dhe shoqëria ndërtojnë së bashku, për të kufizuar maksimalisht aksesin që pedofilët dhe predatorët seksualë duan dhe kërkojnë të kenë tek femijët.

Regjistri Kombëtar i të Dënuarve për Krime Seksuale kundër Fëmijëve, funksionon si një databazë e të dhenave të personave që janë rezidentë në Shqipëri dhe që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga ana e gjykatave vendase apo edhe në vende të tjera, për vepra penale seksuale ndaj fëmijëve.

Regjistri menaxhohet dhe mirëmbahet nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policië dhe aty mbahen të dhëna të vazhdueshme të deklaruara nga vetë i dënuari në lidhje me rezidencën dhe vend-ndodhjen e tij / saj, lëvizjet e personit, udhëtimet etj. Çdo person që është dënuar për krime seksuale deri në periudhën që parashkruhet vepra penale, qendron i regjistruar në regjistër dhe është në komunikim të vazhdueshëm me rajonin e policisë ku ai/ajo jeton. Nga ana tjetër, kur personi udhëton nga një shtet në tjetrin, strukturat e Ministrisë së Brendshme njoftojnë shtetin ku personi do të udhëtojë, në mënyrë që të merren masa në kohë që personi të mos ketë mundësi të ketë kontakt me fëmijët. E njëjta procedure ndiqet edhe për levizjet e brendshme të përsonit.

Çdo person rregjistrohet në Regjistrin Kombëtar brenda tre ditëve pasi ka dalë nga vendi i vuajtes së dënimit, duke paraqitur një kopje të vendimit të Gjykatës. Nëse brenda tre ditëve personi nuk është paraqitur për t’u rregjistruar në Rregjistër, ai konsiderohet se ka kryer veprën penale të “Mos-Regjistrimit në Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale ndaj Fëmijëve”, e cila parashikon dënimin me burgim të personit për një perudhë të caktuar kohore.

3.     Kush ka të drejtë të ketë qasje dhe të kërkojë të dhëna në Regjistër?

Regjistri do të jetë i aksesueshëm vetëm nga institucionet publike dhe private që punojnë me / për fëmijët dhe që sipas ligjit kanë për detyrë të mbrojnë fëmijët. Në këtë aspekt, cdo institucion si psh shkolla, apo OJF apo institucion i vuajtes së dënimit etj, do ti drejtohen regjistrit me një kërkesë nëse XY person figuron të jetë i rregjistruar në këtë Regjistër, pasi kanë marrë miratimin me shkrim të personit së bashku me një kopje shoqëruese të Kartës së Identitetit të Personit.

Regjistrit mund t’i drejtohet edhe vetë personi që është i dënuar për krime seksuale ndaj fëmijëve, për të kërkuar një kopje të të dhënave që mbahen për të. Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton detyrime ligjore për këdo person juridik apo fizik që është në dijeni të të dhënave personale të një personi tjetër, për mënyrën sesi mbrohen dhe administrohen ato.

4.     Si bëhet dalja nga Regjistri?

Një çështje tjetër është ajo sesi bëhet dalja nga Regjistri? Në parim të gjitha vendet ku është ngritur ky regjistër, kërkojnë që vetë personi i dënuar për krime seksuale apo përfaqësuesi i tij ligjor, t’i drejtohet Regjistrit me një kërkesë për heqjen e emrit, vetëm pasi vepra penale ka kaluar periudhën e parashkrimit ligjor. Periudhat e parashkrimit janë të përcaktuara në Kodin Penal.


Mbeshtet Letren e Hapur per Deputetet

Plotesoni me poshte:

Sponsors

    

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL