Këshilli Bashkiak I Tiranës Të Marr Masa Për Të Garantuar Që Çdo Qytetar I Interesuar Të Ndjekë Mbledhjet E Këshillit

Këshilli Bashkiak I Tiranës Të Marr Masa Për Të Garantuar Që Çdo Qytetar I Interesuar Të Ndjekë Mbledhjet E Këshillit

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/DCI Shqipëri), një ndër organizatat kryesore të shoqërisë civile në vend, me anë të kësaj letre kërkon të protestojë me forcë publikisht për shkeljen e të drejtës së saj dhe të qytetarëve të Tiranës, për të ndjekur mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, nga ana e Sekretariatit të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit.

Që prej vitit 2006 e në vijim, CRCA / DCI Shqipëri punon në drejtim të promovimit të pjesmarrjes së barabartë të të rinjve, grave dhe minoriteteve në jetën politike të vendit. Që prej Janarit të këtij viti ne po punojmë bashkë një grup të rinjsh nga partitë politike dhe shoqëria civile, nëpërmjet “Lidershipit të të rinjve të Tiranës”, për të nxitur pjesmarrjen aktive të të rinjve në qeverisjen lokale. Pjesë e punës sonë është edhe vëzhgimi i vendim-marrjes lokale, që realizohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës, për të parë se sa dhe si ky këshill i dedikon në kohë dhe buxhet zgjidhjes së çështjeve të të rinjve, grave dhe fëmijëve.

Përfaqësuesit e CRCA/DCI Shqipëri, edhe pse kanë paraqitur dy herë kërkesë të rregullt zyrtare pranë Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranës për ndjekjen e mbledhjeve të Këshillit për vitin 2012, nuk janë lejuar që të ndjekin mbledhjen e datës 5 Prill 2012 të tre përfaqësuesit e interesuar, por Këshilli ka lejuar vetëm një prej tyre, me justifikimin se Salla e Mbledhjeve të Këshillit Bashkiak nuk ka hapësirat e duhura për të lejuar pjesmarrjen e të gjithe personave të interesuar.

Për ne mos lejimi i përfaqësuesve tanë që të ndjekin nga afër mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, është një precedent i rëndë i shkeljes së ligjit dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ligji Nr.8652, i datës 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore”, në Nenin 34, pika 1, thotë: “Mbledhjet e Këshillit janë të hapura për publikun. Çdo qytetar lejohet të ndjekë mbledhjet e këshillit, sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit”.

Ndërkohë Neni 39 i Rregullores së Funksionimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, i datës 31.05.2004, thotë se “Në sallën e mbledhjeve marrin pjesë me cilësinë e të ftuarit, vetëm personat e autorizuar nga kryesia e Këshillit”. Ashtu siç shihet, Neni 39 i Rregullores, është në kundërshtim të hapur me frymën e Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore”, i cili duhej të rregullonte procedurat dhe mënyrat që Këshilli duhet të ndjekë për garantimin e ushtrimit të të drejtës së qytetarëve dhe jo numrat e qytetarëve që janë të lejuar ose jo.

Ligji përcakton se “Mbledhjet e Këshillit janë të hapura për publikun” dhe Rregullorja në fjalë nuk mund ta dalë kundër ligjit duke kufizuar të drejtën bazë të çdo qytetari për të marrë pjesë dhe për të ndjekur mbledhjet e institucioneve të zgjedhura prej tij, të drejta këto të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, është në interesin e rritjes së transparencës dhe mirë-qeverisjes, që Këshilli Bashkiak i Bashkisë Tiranë, t’i organizojë mbledhjet e tij të hapura për të gjithë qytetarët e Tiranës, pasi Tirana e vitit 2012 nuk është Tirana e vitit 2004.

Duke u nisur nga kjo ngjarje e rëndë, CRCA/DCI Shqipëri i rekomandon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Kryetarit të Këshillit Bashkiak dhe grupeve të partive politike në këtë Këshill, të ndërmarrin masat më të shpejta për ta zgjidhur këtë çështje, përfshirë edhe:

  • Rishikimin e Rregullores së Funksionimit Të Këshillit Bashkiak Tiranë, të datës 31.05.2004, për të siguruar që çdo qytetar i interesuar, të ketë mundësi të ndjekë mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë;
  • Parashikimin në Rregullore të procedurave dhe mënyrave për ndjekjen e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak nga të interesuarit, si p.sh. vënia në dispozicion e një salle tjetër nga ajo ku zhvillohet mbledhja, ku qytetarët dhe grupet e interesuara, përmes një monitori apo mjeteve të tjera, të kenë mundësi të ndjekin mbledhjet e hapura të Këshillit;
  • Sigurimin e transparencës ndaj qytetarëve dhe taksapaguesve të Tiranës, të cilët ju kanë besuar qeverisjen e qytetit;

Në çdo rast nëse nuk zgjidhen këto kërkesa të rëndësishme demokratike, CRCA/DCI Shqipëri do të padisë pranë Gjykatës Kushtetuese, Nenin 39 të Rregullores së Funksionimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, si një nen që haptazi kufizon të drejtën e qytetarëve për informim dhe pjesmarrje në institucionet e tyre publike.

CRCA /DCI Shqipëri beson se e drejta e informimit dhe e pjesmarrjes në vendimmarrje, janë ndër të drejtat themelore të njeriut në një vend demokratik, prandaj institucionet duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar respektimin e të drejtajtave të qytetareve në ushtrimin e tyre larg pengesave administrative. 

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL