Shqipëria vijon të mbetet vend i origjinës së trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve!

Shqipëria vijon të mbetet vend i origjinës së trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve!

ECPAT Shqipëri: Mungesa e financimit nga ana e Qeverisë të shërbimeve sociale dhe arsimit, rrezikon çdo ditë jetën dhe mirëqenien e fëmijëve anembanë Shqipërisë!

Tiranë, 30 korrik 2018 – Shqipëria parashikon që të investojë 1 miliardë Euro për rrugë të reja, por ndërkohë Qeveria nuk ka asnjë plan për të financuar shërbimet komunitare dhe të mbrojtjes sociale. Si rrjedhojë një numër gjithnjë e më i madh i fëmijëve po rrezikohen nga trafikimi dhe shfrytëzimi për qëllime seksuale dhe ekonomike. Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Belgjika mbeten vendet kryesore, ku fëmijët nga Shqipëria, trafikohen për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punë të detyruar nga rrjetet e krimit të organizuar, drogës dhe prostitucionit.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, ECPAT Shqipëri kërkon të ndajë publikisht shqetësimin e saj se vendi ynë mbetet ende një qendër e organizimit trafikimit të fëmijëve, sidomos fëmijëve vajza, duke ofruar shumë pak mundësi për mbrojtjen e tyre.

Banka Botërore deklaron se rreth 100,000 fëmijë në Shqipëri jetojnë në nivelin e varfërisë, të cilët janë seriozisht të rrezikuar për shitje, trafikim dhe shfrytëzim ekonomik dhe seksual. Mbi 2500 fëmijë në Shqipëri lypin dhe jetojnë rrugëve, ndërsa mbi 50,000 fëmijë të tjerë punojnë për të siguruar mbijetësën e familjeve të tyre.

Pavarësisht se ka një mungesë të theksuar të të dhënave në lidhje me trafikimin e fëmijëve, raportet e disa qeverive në Bashkimin Europian dhe të organizatave joqeveritare ndërkombëtare përllogarisin se mbi 5000 fëmijë nga Shqipëria janë viktima të trafikimit ndërkombëtar. Vetëm Mbretëria e Bashkuar deklaron çdo vit se mbi 600 persona nga Shqipëria janë viktima të trafikimit drejt këtij vendi, shumica e tyre fëmijë vajza. Qeveria shqiptare nuk ka publikuar asnjëhere deri më sot asnjë të dhënë të përafërt mbi trafikimin e qenieve njerëzore apo fëmijëve.

Raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, i vitit 2018, deklaroi se “Qeveria Shqiptare raportoi më pak ndjekje penale dhe gjykime dhe autoritetet vazhduan të hetojnë dhe ndjekin penalisht disa trafikantë për krime të vogla si shfrytëzimi i prostitucionit. Qeveria shtyu financimin e strehëzave të OJQ-ve dhe nuk identifikoi në mënyrë të vazhdueshme viktimat e trafikimit në mesin e individëve. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekt i trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.”

Në raport theksohet shqetësimi kryesor, që për vite me radhë është ngritur edhe nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA) dhe ALO 116-111, dy organizata antare të ECPAT Shqipëri, se ”trafikantët gjithnjë e më shumë po përdorin mediat sociale për të rekrutuar viktimat. Fëmijët shpesh detyrohen të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar.”

“Pavarësisht se që nga viti 2010 e në vijim, vendi ka bërë përpara në drejtim të miratimit të ligjeve dhe politikave për mbrojtjen e fëmijëve, mungesa e financimit shërbimet komunitare dhe për arsimin, i ka kthyer fëmijët në peng të mungesës së vizionit të politikanëve për të kuptuar rëndësinë që ka mbrojtja dhe mbështetja e tyre.“ – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA dhe përfaqësues i ECPAT Shqipëri.

Nisur nga kjo gjendje tepër shqetësuese, ECPAT Shqipëri, në ditën ndërkombëtare kundër trafikimit të qenieve njerëzore, i rekomandon Qeverisë shqiptare të marrë masat e mëposhtme:

  • Përgatitja dhe miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit për eleminimin e Trafikimit dhe Shfrytëzimit të Fëmijëve në Shqipëri.
  • Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Bashkitë kudo në vend, në buxhetin e tyre të vitit 2019, duhet të planifikopjnë financimin e shërbimeve kombëtare dhe komunitare, shërbimet mbështesë arsimore etj, si shërbime që mund të garantojnë mbrojtjen e fëmijëve nga trafikimi dhe shfrytëzimi.
  • Qeveria shqiptare duhet të financojë tërësisht nga Fondi Social, Shërbimet e Emergjencës së fëmijëve, përfshi këtu edhe shërbimet ligjore, riintegruese, strehëzat etj.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, ECPAT Shqipëri i kërkon gjithashtu Kuvendit të Shqipërisë qw të miratojë ndryshimet ligjore  në Kodin Pënal për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë shfrytëzimi dhe abuzimi.

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL