Tiranë, 31 Maj 2016– Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve – CRCA, mbështetur nga Unicef Shqipëri, në kuadër të programit “Mbrojtja e Fëmijëve nga Dhuna në Shqipëri” zhvilloi ditën e sotme një konsultim me të rinjtë dhe fëmijët mbi rolin e kuvendit dhe rëndësinë e Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve (GPMF)” në mbrojtjen e tyre nga dhuna dhe abuzimi. Konsultimi me fëmijët dhe të rinjtë të moshave 15 – 25 vjeç kishte synimin kryesor të merrte mendimet dhe rekomandimet e tyre në lidhje me përmirësimin e punës së kuvendit dhe impaktin e punës së GPMF për fëmijët në vend.
Konsultimi me fëmijët dhe të rinjtë kishte në fokus diskutimin dhe kuptimin e  funksionit të Kuvendit të Shqipërisë si dhe, siligjet dhe politikat e tij mund të ndihmojnë për të mbrojtur interesat e fëmijëve. Kjo është hera e parë që fëmijët dhe të rinjtë konsultohen mbi rolin e rëndësishëm që deputët e vendit tonë dhe veçanërisht deputetët e GPMF luajnë në ndërtimin e një dialogu të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me fëmijët dhe të rinjtë mbi të drejtat dhe të ardhmen e tyre.
Gjatë konsultimit fëmijët dhe të rinjtë nga mosha 15 deri në 25 vjeç, patën mundësinë të jepnin sugjerimet e tyre se si parlamentarët mund të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të krijojnë një të ardhme më të mire për fëmijët në të gjithë vendin. Fëmijët dhe të rinjtë që morën pjesë në konsultim vinin nga shkolla, universitete dhe OJF të ndryshme të kryeqytetit por jo vetëm, si Universiteti i Tiranës, Universiteti  i Kamzës, shkolla Xhezmi Delli, Sami Frashëri, Emin Duraku, përfaqësues të organizatave të fëmijëve dhe të rinjve si Save the Children, Zëri 16+, Gratë në Fokus dhe Zhvillim, etj.
Gjatë takimit një ditor pati diskutime në grup, aktivitete dhe prezantime mbi rolin dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve në punën e kuvendit të Shqipërisë. Në konsultim u diskutuan çështje të ndryshme si struktura, roli, funksioni dhe rëndësia e Kuvendit dhe Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”. Fëmijët dhe të rinjtë dhanë rekomandime specifike se si mund të përmirësoheshin ligjet dhe projekt ligjet që prekin nga afër fëmijët dhe të rinjtë. Pjesëmarrësit theksuan nevojën e një takimi fillestar me deputetët dhe GPMF për të patur mundësinë të bashkëbisedojnë nga afër mbi rëndësinë e konsultimit të vazhdueshëm me ta edhe gjatë hartimit të projektligjeve.
Grupi Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” funksionon si një grup ad-hoc në Kuvendin e Shqipërisë, i cili synon të jetë një zë i fuqishëm i mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. Ai përbëhet nga 24 deputetë, të përkushtuar ndër vite në avancimin e të drejtave të njeriut, të fëmijëve, të grave etj, dhe udhëhiqet në punën e tij me anë të Planit Strategjik 2016 – 2018 i cili u aprovua në prill të këtij viti. Pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve në diskutimin e këtij dokumenti si dhe rekomandimet për drejtimet prioritare të vitit të parë janë të rëndësishme për punën e GPMF. CRCA Shqipëri do të vijojë punën e saj për avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe do të lobojë që zëri i fëmijëve të dëgjohet në të gjitha proceset vendimmarrëse.
Për më shumë informacion, kontaktoni: znj. Mersila Ballo
Tel: 00355 675002025; email: mersila.ballo@crca.al


Detajet e Lajmit
May 31, 2016
193
Kategoria