Kuvendit të Shqipërisë: Mbro fëmijët nga grabitqarët seksualë në internet!

Kuvendit të Shqipërisë: Mbro fëmijët nga grabitqarët seksualë në internet!

THIRRJE PUBLIKE

Tiranë, 08 Maj 2018 - Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët në Shqipëri (ALO 116), i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe ligjvënësve shqiptarë për miratimin urgjent të ndryshimeve të Kodit Penal Shqiptar që mbron fëmijët nga pedofilia, dhuna dhe shfrytëzimi në internet!

Disa ditë më parë, një prej programeve televizive, solli me zë e figurë komunikimin me natyrë seksuale dhe pornografike, që persona të rritur kryejnë me profilet virtuale të fëmijëve nën moshën e lejuar nga ligji. Ata nëpërmjet internetit të pasigurt, kërkojnë dhe ftojnë fëmijët që të angazhohen në marrëdhënie seksuale. E gjithë kjo situatë ndodh pasi Kodi Penal nuk i mbron fëmijët në jetën e tyre virtuale nga grabitqarët seksualë.

Kjo për ne është e patolerueshme!

Në vitin 2016 dhe më pas në vitin 2017, CRCA Shqipëri, i kërkoi zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të Ligjeve, që në ndryshimet e pritshme të Kodit Penal të miratonte edhe propozimet e CRCA për të mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe shfrytëzimit në internet! Kuvendi për shkaqe që ende nuk dihen nuk e morri parasysh këtë kërkesë!

Ndonëse CRCA prej vitesh ka denoncuar rrezikun e kësaj situate, pamjet e xhiruara nga programi i njohur televiziv “Fiks Fare”, vërtetuan edhe njëherë nevojën urgjente të ndryshimeve në Kodin Penale, për të mos lejuar abuzuesit, shfrytëzuesit dhe këdo tjetër, të abuzojë me fëmijët duke përdorur rrjetet sociale online.  Ky realitet na detyron sot, që si CRCA dhe ALO 116 të ringremë zërin tonë për të kërkuar publikisht miratimin urgjent të shtesave në Kodin Penal të propozuara nga organizatat tona.

Vetëm në dy vitet e fundit, ALO 116 ka trajtuar më shumë se 886 telefonata të fëmijëve dhe adoleshentëve të cilët kanë raportuar çështje të sigurisë online, vjedhje identiteti, abuzim, bulizëm dhe dhunë.

Ndërsa pranë Platformës Kombëtare www.iSigurt.al  gjatë vitit 2016 -2018 janë raportuar mbi 146 raste të fëmijëve dhe të rinjve, të cilët janë ekspozuar ndaj imazheve të papërshtatshme në internet, ngacmimit seksual, psikologjik dhe fyerjeve apo edhe pornografi.

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL