KËRKESË PUBLIKE - 30% E KUVENDIT TË ARDHSHËM TË JENË TË RINJ DHE TË REJA!

KËRKESË PUBLIKE - 30% E KUVENDIT TË ARDHSHËM TË JENË TË RINJ DHE TË REJA!

KOMISIONI I POSAÇËM I REFORMËS ZGJEDHORE TË NISË DISKUTIMET PËR VENDOSJEN E KUOTËS KOMBËTARE RINORE 30% NË KODIN ZGJEDHOR.

Tiranë, 8 Dhjetor 2016- Zgjedhjet e fundit Vendore të 21 Qershorit 2015 sollën trefishimin e pjesëmarrjes së të rinjve si kandidatë për këshillat bashkiakë, krahasuar me zgjedhjet vendore të 2011-s. Kjo rritje erdhi edhe si rezultat i kuotës rinore 30 % të kërkuar prej forumeve politike rinore dhe organizatave rinore të shoqërisë civile nëpërmjet Kontratës Sociale për të Rinjtë 2015. Pavarësisht kësaj arritjeje, përfaqësimi i të rinjve në Kuvendin e Shqipërisë mbetet në nivele tepër të ulëta, ku nga 140 deputetë vetëm 7 % e tyre janë të rinj e të reja nën moshën 35 vjeç.

Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera europiane, vazhdon të mbetet një vend me moshë të re, ku rreth 30% (869,642 të rinj, INSTAT 2016) e popullatës përbëhet nga grup-mosha 15-34 vjeç. Një vend si Shqipëria, ku një e treta e popullsisë janë të rinj e të reja, që përbëjnë grupimin më të madh të forcës aktive nëshoqëri, kurrsesi nuk mund të ketë një përfaqësim të vërtetë në Parlament me vetëm 7% të deputetëve. Ky tregues negativ për Shqipërinë nuk arrin të legjitimojë punën dhe përpjekjet e institucioneve si në nivel lokal ashtu edhe kombëtar, pasi mungon masa kritike e të rinjve e të rejave, që të mund të vendosin për të rinjtë dhe me të rinjtë!

Për sa më sipër Lidershipi i të Rinjve të Tiranës (LRT), Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve - CRCA Shqipëri i kërkojnë sot publikisht Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, vendosjen e kuotës rinore minimum 30% në Kodin Zgjedhor për kandidatë për deputetë, nëpërmjet së cilës të mundësohet që 30% e listave fituese për deputetë në vitin 2017 të jenë të rinj e të reja, duke sanksionuar edhe të drejtën e KQZ-së të refuzimit të listës në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi.

Ne besojmë se ky është momenti i duhur përpara Zgjedhjeve Kombëtare të vitit 2017, që drejtuesit e partive politike dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të tregojnë angazhimin dhe vullnetin e tyre pozitiv, të nisur tashmë në zgjedhjet vendore 2015, për të bërë të mundur vendosjen e një mekanizmi që garanton përfaqësimin e drejtë, legjitim dhe të vërtetë të të rinjve në politikë dhe vendimmarrje.

Kjo Kërkesë Publike i Drejtohet:                                     

 

Z. Taulant Balla

Bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Kuvendi i Shqipërisë

Z. Oerd Bylykbashi

Bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore

Znj. Albana Vokshi

Kryetare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë

Z. Fatmir Xhafa

Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë

Znj. Olta Xhaçka

Kryetare e Nënkomisionit për Çështjet e të Miturve dhe Barazisë Gjinore

Z. Edi Rama

Kryeministër i Shqipërisë / Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë

Z. Lulzim Basha

Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Z. Ilir Meta

Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë / Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Z. Fatmir Mediu

Kryetar i Partisë Republikane të Shqipërisë

Z. Shpëtim Idrizi

Kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet

Z. Vangjel Dule

Kryetar i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri

Z. Bamir Topi

Kryetar i Partisë së Frymës së Re Demokratike

Sponsors

    

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL