CRCA: Shqipërisë i duhet urgjentisht një Ministri për Familjen!

CRCA: Shqipërisë i duhet urgjentisht një Ministri për Familjen!

FAKTE: Mbi 750,000 gra dhe vajza janë viktima të dhunës në familje; mbi 360,000 mijë fëmijë dhe adoleshentë janë viktima të dhunës dhe shfrytëzimit; mbi 100,000 fëmijë jetojnë në varfëri; 182,000 të rinj e të reja janë të papunë; Mbi 327,735 persona në Shqipëri jetojnë me ndihmë ekonomike; mbi 46% e të dënuarve për krime janë fëmijë dhe të rinj!

Tiranë, 15 Gusht 2018 – Me anë të kësaj thirrje të hapur, drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), një ndër organizatat kryesore për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, kërkon të shprehë qëndrimin dhe propozimin e saj se është bërë urgjente nevoja për hapjen e Ministrisë për Familjen, si një institucion përgjegjës për mbrojtjen dhe fuqizimin e familjes, në mënyrë të veçantë të grave, fëmijëve dhe të rinjve, si dhe zbatimit të një plani të ri kombëtar masash për fuqizimin e familjes në Shqipëri.

Pavarësisht se Shqipëria ka bërë përmirësime të ndjeshme të kuadrit legjislativ dhe të politikave për grupet më të rrezikuara të shoqërisë, përsëri të dhënat tregojnë se familja është nën goditjen e vazhdueshme të një sërë faktorëve shoqërorë, që rrezikojnë seriozisht mirëqenien e saj. Kushtetuta e detyron Kuvendin, Qeverinë, Bashkitë dhe sistemin e drejtësisë që të kujdesen për familjen, duke dhënë ndihmë, mbështetje dhe mbrojtje për çdo anëtar të saj, sidomos për gratë, fëmijët dhe të rinjtë.

Shqipëria gjendet në një situatë dramatike përsa i përket tkurrjes dhe plakjes së popullsisë.Sipas të dhënave zyrtare në këto 27 vjet, lindjet kanë pësuar rënie drastike. Në vitin 2017 kishte vetëm 30.8 mijë lindje, niveli ky më i ulët i regjistruar ndonjëherë, më një rënie prej 62% të lindjeve krahasuar me vitin 1990. OKB dhe INSTAT parashikojnë në variantin më pesimist të tyre se Shqipëria mund të ketë rreth 860 mijë banorë në vitin 2100, nga 2.9 milionë që është popullsia e vendit sot.

Shqipëria vijon ende të mbetet një ndër vendet më të varfëra në Europë.Sipas Bankës Botërore, thuajse 14 % e popullsisë vijon të jetojë në varfëri absolute, ndërsa thuajse 47 % e popullsisë jeton në varfëri relative, krahasuar me 22 % që është në vendet e rajonit. Deri në fund të vitit 2017, sipas INSTAT, në Shqipëri përfitonin ndihmë ekonomike të plotë ose të pjesshme mbi 327,735 persona ose 11.4% e popullsisë në vend.

Vajzat dhe gratë përbëjnë thuajse gjysmën e popullsisë me rreth 1,431,714 persona(INSTAT). Në Shqipëri dhuna në familje vazhdon të jetë e përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë. Sipas INSTAT dhe UNDP mbi 53 % e tyre, ose rreth 750 mijë gra dhe vajza në Shqipëri, deklarojnë se kanë qenë të paktën një herë në jetën e tyre viktima të dhunës në familje.

Realiteti i fëmijëve është edhe më i hidhur.Numri i fëmijëve dhe adoleshentëve nën moshën 19 vjeç arrin në rreth 721,586 persona (INSTAT). Rreth 100,000 fëmijë jetojnë në varfëri. Mbi 50 mijë fëmijë të moshës 6-15 vjeç janë të detyruar të punojnë në punë familjare dhe në rrugë për të siguruar mbijetesën e tyre.Mbi 60% e fëmijëve në Shqipëri sipas studimit BECAN kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës, përfshirë këtu dhunën fizike, seksuale, psikologjike dhe neglizhencë. Rreth 11% e fëmijëve deklarojnë se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga një i rritur.

Gjendja e të rinjve paraqitet po aq shqetësuese. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç përbëjnë rreth 25 % të popullsisë, me rreth 695,836 persona (INSTAT). Në raportin më të fundit të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, të rinjtë në Shqipëri gjenden përballë faktit se 26 % e tyre janë të papunë, duke e renditur vendin tonë ndër të parët në Europë për këtë problematikë (ILO 2015). Indeksi Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri evidentoi se 81 % e organizatave rinore nuk gjejnë asnjë mbështetje për punësimin rinor nga Qeveria. Rreth 70 % e të rinjve dëshirojnë të emigrojnë nga Shqipëria dhe rreth 80 % e tyre nuk marrin asnjë shërbim miqësor rinor. Mbi 46 % e të dënuarve në burgje në Shqipëri janë të rinj dhe të reja.

Nisur nga të gjitha këto fakte dhe të dhëna, ne sot i kërkojmë Kuvendit dhe Qeverisë shqiptare sa më poshtë:

  1. Krijimin e Ministrisë për Familjen, si një institucion përgjegjës për kujdesin, mbrojtjen dhe fuqizimin e familjes në Shqipëri dhe të gjithë anëtareve të saj.
  2. Hapjen urgjentisht të një Programi Kombëtar për mbështetjen e familjes, gruas, fëmijëve dhe të të rinjve në vend, për krijimin e shërbimeve komunitare për familjen në çdo Bashki të Shqipërisë;
  3. Kuvendi i Shqipërisë, në hapjen e legjislaturës së re në Shtator 2018, duhet të shoh me prioritet bërjen e përmirësimeve ligjore të menjëhershme për të mundësuar pagesën e plotë të lejes së lindjes për të paktën 1 vit për nënat dhe baballarët, të kombinuar me krijimin e Pagesës për Fëmijë për çdo familje të paktën deri në moshën 10 vjeç!

Ndërsa Shqipëria ende nuk e ka një institucion të tillë, mbi 30 shtete prej vitesh tashmë e kanë krijuar një ministri të tillë. Mes tyre janë vende si Turqia, Kroacia, Malajzia, Peru dhe Indi, si dhe Gjermania, Irlanda, Danimarka, Norvegjia, Korea e shumë të tjera.

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL