CRCA: Mbrojtje urgjente për vajzën e mitur dhe familjen së saj në Tepelenë!

CRCA: Mbrojtje urgjente për vajzën e mitur dhe familjen së saj në Tepelenë!

Bashkia Memaliaj dhe Policia e Shtetit të ofrojnë mbrojtje të menjëhershme për vajzën 13 vjeçare që denoncoi dhunën seksuale ndaj saj në shkollë

Tiranë, 17 Shtator 2018 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve Shqipëri (CRCA) nëpërmjet kësaj deklarate publike shprehet e shqetësuar dhe e indinjuar për apatinë e institucioneve të shtetit shqiptar për mbrojtjen e një vajze të mitur në Tepelenë, e cila në 2 Qershor të 2018, denoncoi dhunën seksuale të ushtruar nga mësuesi i saj. Gjykata e Gjirokastrës vetëm disa javë më vonë e shpalli të pafajshëm mësuesin për akuzën e ngacmimeve seksuale ndaj vajzës 13 vjeçe, por gjatë ditës së sotme CRCA është njoftuar nga mediat mbi kërcënimet që po i bëhen të miturës dhe familjes së saj.

Sipas raporteve të fundit në median e shkruar dhe atë vizive, banesa ku jeton e mitura në Fshatin Luftinjë Tepelenë, është qëlluar me armë gjatë natës së 16 shtatorit. Prindërit e vajzës kanë deklaruar se ajo ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike për shkak të këtyre kërcënimeve.  

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) shprehet tepër e indinjuar për faktin se një vajzë e mitur, që pati kurajon të denonconte një rast të ngacmimit seksual, sot përjeton një situatë të tillë në komunitetin ku ajo jeton. Ne shohim jo pa shqetësim mungesën e mbështetjes së saj nga institucionet shtetërore vendore, por për më tepër Policia e Shtetit nuk duket se ka kryer detyrën e saj për të informuar dhe diskutuar me komunitetin dhe për të eleminuar kërcënimet që mund t’i bëhen jetës dhe familjes së vajzës.

CRCA Shqipëri që prej vitit 2016 i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe ngacmimet seksuale. Por deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar! Ne sot kërkojmë publikisht sa më poshtë:

  1. Kuvendi i Shqipërisë, të miratojë me procedurë të përshpejtuar ndryshimet e kërkuara nga CRCA Shqipëri në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale për Mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale.
  2. Agjensia Kombëtare për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëvedhe Policia e Shtetit të marrin në mbrojtjen të menjëhershme vajzën 13 vjeçare dhe familjen e saj, dhe të ofrojnë trajtim psiko-social, strehim dhe kujdes ndaj tyre;

Dhuna ndaj fëmijëve nuk lejon zhvillimin dhe avancimin e tyre në shoqëri. Shteti shqiptar ka për detyrë që të tregojë se ka aftësinë që të mbrojë dhe të kujdeset për të gjitha vajzat që denoncojnë dhunën seksuale ndaj tyre. Është koha për veprim!

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL