RINI E HARRUAR? RAPORTI I PARË ALTERNATIV PËR GJENDJEN E TË RINJVE NË SHQIPËRI

RINI E HARRUAR? RAPORTI I PARË ALTERNATIV PËR GJENDJEN E TË RINJVE NË SHQIPËRI

Shqetësimet për mungesën e mbështetjes për të rinjtë

Tiranë, 23 Nëntor 2017- CRCA Shqipëri, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri dhe 18 organizata partnere të shoqërisë civile dhe forume politike rinore që punojnë për të drejtat dhe çështjet e të rinjve dhe të adoleshentëve në të gjithë Shqipërinë, Prezantuan sot Raportin e Parë Alternativ dhe Indeksit të Vlerësimit të Planit Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë (2015-2020).

Qëllimi i këtij Raporti nuk është vetëm evidentimi, nëpërmjet monitorimit, se sa është zbatuar Plani i Veprimit, por njëkohësisht të shërbejë si një instrument për të adresuar problemet që kanë të rinjtë shqiptarë dhe se ku duhet të fokusohet Qeveria shqiptare për të përmirësuar politikën dhe ndërhyrjet e saj për të rinjtë.

Në vitin 2015, Qeveria shqiptare miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë (2015-2020), i cili ndër të tjera caktonte një serë detyrash për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, institucionet në varësi të saj, ministritë e tjera të linjës dhe bashkitë, të cilat janë përgjegjese për arritjen e objektivave të Planit. Edhe pse 2 vite pas miratimit dhe fillimit të zbatimit të këtij Plani, ish Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë pavarësisht detyrës që ka patur për të raportuar, ende nuk ka dalë me një raport monitorues publik për realizimin e politikave, objektivave të përfshira në këtë Plan Kombëtar përgjatë vitit 2015-2016!

Disa prej gjetjeve më të rëndësishme të këtij raporti janë:a) Plani i Veprimit nuk është zbatuar në tërësinë e tij dhe sipas objektivave dhe aktiviteteve të parashikuara për t’u përmbushur gjatë periudhës 2015-2016. Nga 48 aktivitete të parashikuara për t’u realizuar gjatë kësaj periudhe, vetëm 10 prej tyre janë përmbushur; b) Mungesa e strukturave institucionale në nivel qendror dhe lokal nuk bëri të mundur zbatimin e Planit dhe aktiviteteve të parashikuara, si rrjedhojë edhe përmbushjen e Objektivave të vendosur; c) Dualizmi i pasjes së dy strukturave, një të Politikave Rinore dhe një të Shërbimit Kombëtar për Rininë, mos-patja e një stafi të plotë, kapacitetet e kufizuara dhe mungesa e informacionit transparent të roleve dhe përgjegjësive të tyre, si dhe lëvizjet e hërëpashershme, vetëm e shtuan paqartësinë mbi rolet e strukturave dhe funksionet përkatëse të tyre; d) Mungesa e bazës ligjore dhe rregullatore që do të bënte të mundur zbatimin e Planit të Veprimit. e) Mungesa e Programit Buxhetor për të Rinjtë në buxhetin e përgjithshëm të Ministrisë, rriti së tepërmi mundësitë që Plani Kombëtar të mos zbatohej. f) Mungesa e monitorimit dhe vlerësimit 6 mujor dhe vjeçar të Planit, përmbushjes së indikatorëve dhe realizimit të aktiviteteve të parashikuara, krijuan një vakum të shtrirë në kohë të mos-zbatimit të Planit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri. 

Disa prej rekomandimeve më të rëndësishme të këtij raporti janë:a) Rishikimi i Planit Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë (2015-2020); b) Përgatitja dhe miratimi i Ligjit për Rininë në Shqipëri; c) Miratimi Rezolutës për të Rinjtë në Kuvendin e Shqipërisë; d) Krijimi i një Nën-Komisioni Parlamentar për të Rinjtë në Kuvendin e Shqipërisë; e) Ngritja e një strukture të plotë Rinore në Ministrinë e Arsimit dhe Rinisë, të aftë për të zbatuar Planin dhe monitoruar e vlerësuar masat dhe arritjet e tij; f) Krijimi i një Programi Buxhetor për Rininë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit; g) Ngritja e një strukture konsultative Ministri-OSHC Rinore – Bashki për të ndjekur dhe monitoruar zbatimin e Planit Kombëtar.

Në këtë takim morrën pjesë të rinj e të reja, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deputetë, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të forumeve politike rinore, aktivistë dhe akademikë.

Për më shumë informacion, kontaktoni: Klaudio Pulaha, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, tel: 067 500 20 21, E-mail: [email protected]

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL