Raporti “Rinia në Shqipëri” tregon se Qeveria shqiptare dhe Bashkitë kanë dështuar me të rinjtë!

Raporti “Rinia në Shqipëri” tregon se Qeveria shqiptare dhe Bashkitë kanë dështuar me të rinjtë!

Mos-zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë ka lënë pa asnjë shpresë 25% të popullësisë në Shqipëri. CRCA dhe ANYN kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Kuvendi, Qeveria dhe Bashkitë!

Tiranë, 12 Gusht 2018 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, publikuan raportin kombëtar “Rinia në Shqipëri”. Ky raport, ngre shqetësimin për situatën e rëndë dhe të pashpresë në të cilën ndodhet të rinjtë në Shqipëri, si edhe për mos-zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë (2015-2020) nga Qeveria dhe Bashkitë.

Drejtori i CRCA z. Altin Hazizaj gjatë prezantimit të Raportit kërkoi “Miratimin urgjent të Rezolutës për të Rinjtë dhe krijimin e Nën-Komisionit Parlamentar për të Rinjtë në Kuvendin e Shqipërisë. Ngritjen e një Drejtorie për Rininë, në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të aftë për të zbatuar Planin Kombëtar të Veprimit në Shqipëri.”  Ai theksoi se Qeveria Shqiptare duhet sa më parë të miratojë një zë buxhetor specifik për Rininë, si dhe në çdo bashki të vendit, të krijohen Seksionet e Rinisë.

Raporti Kombëtar “Rinia në Shqipëri” u përgatit përgjatë një periudhe dy vjeçare me pjesmarrjen e mbi 15 organizatave të shoqërisë civile rinore, për të vlerësuar punën e  Qeverisë dhe Bashkive për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë (2015-2020) në Shqipëri. 

Plani i miratuar në maj të vitit 2015 nga Qeveria Shqiptare kishte si qëllim zhvillimin dhe koordinimin e politikave ndërsektoriale rinore në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë, si dhe forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën shoqërore e në proceset vendimmarrëse.

Të dhënat e Indeksit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, që shoqërojnë këtë raport, janë një këmbanë alarmi për të gjithë politikë-bërësit në Shqipëri. Rreth 81 % e organizatave rinore në vend nuk gjejnë asnjë mbështetje për politikat e punësimit te Qeveria; 80 % e të rinjve nuk gjejnë asnjë shërbim miqësor në vendin tonë, ndërsa buxheti që shkon për rininë është pothuaj zero.

Raporti Kombëtar “Rinia në Shqipëri” tregon se nga mbi 50 aktivitete të parashikuara për t’u realizuar gjatë periudhës 2015-2017, vetëm 10 prej tyre janë përmbushur, si shkak i mungesave të strukturave institucionale në nivel qendror dhe lokal.

Raporti ndër të tjera thotë se: “Mungesa e Programit Buxhetor për të Rinjtë në buxhetin e përgjithshëm të Ministrisë, jo vetëm që ndikoi në mos-përmbushje të indikatorëve të matjes së zbatimit, por për më tepër, i rriti mundësitë që Plani Kombëtar të mos zbatohej. Endenuk është krijuar asnjë grup ndër-ministror për monitorimin e zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit, ndërsa mungesa e stafit, shtoi paqartësinë mbi rolet e strukturave rinore dhe funksionet përkatëse të tyre.”

Presidentja e ANYN Shqipëri, znj. Ervjola Osmanaj, në lidhje me mos-zbatimin e Planit të Veprimit tha: “Rinia Shqiptare deri më sot nuk ka gjetur mbështetjen e premtuar nga Qeveria dhe Bashkitë. Të rinjve gjithnjë e më shumë po i kufizohen mundësitë për të marrë pjesë në vendimarrje dhe në politikë-bërje. Duke u përdorur vetëm si sfond politik, të rinjtë nuk mund të arrijnë të ndryshojnë apo përmirësojnë jetën e tyre.”

Raporti ka analizuar në detaj të gjithë punën e Qeverisë Shqiptare dhe të gjitha bashkive të vendit mbi mënyrën se si ato kanë punuar për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë (2015-2020), plan ky i miratuar nga qeveria 3 vjet më parë.

Ndërsa Shqipëria prej vitesh punon për tu integruar në Europë, rinia shqiptare përballet ende në vitin 2018, me papunësi masive. Shifrat që ofrohen nga organizatat ndërkombëtare tregojnë se rreth 30 % e të rinjve shqiptarë janë të papunë. Ndërsa të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e rendisin Shqipërinë në vendin e parë në Europë përsa i përket papunësisë tek të rinjtë.

Për më tepër informacion, ju lutem kontaktoni:

Znj. Ervjola Osmanaj

Presidente, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri - ANYN

E-mail: [email protected]

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL