Kuota gjinore dhe për minoritetet të përfshihen në Kushtetutën e Shqipërisë

Kuota gjinore dhe për minoritetet të përfshihen në Kushtetutën e Shqipërisë

Tiranë, 03. 11. 2015 - Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut (HRH), në vazhdimësi të punës disa vjeçare për vendosjen dhe zbatimin e kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor, ka kërkuar së fundmi përfshirjen edhe në Kushtetutën e Shqipërisë të kësaj kuote si edhe kuotës për minoritetet.

Në kuadër të reformës në drejtësi, një ndër reformave më të rëndësishme që shteti shqiptar po ndërrmerr, Koalicioni dhe Shtëpia e të Drejtave, i kanë nisur së fundmi Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi një set të plotë propozimesh për ndryshime ligjore në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Këto propozime erdhën pas analizës që ekspertët e Koalicionit dhe HRH i bënë projekt/ligjit “Për disa ndryshime në Ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, Kushtetuta e Republikë së Shqipërisë, të ndryshuar”.

Propozimet e paraqitura i japin zgjidhje një prej çështjeve mbase më të rëndësishme në një demokraci, asaj të pjesmarrjes dhe përfaqësimit të grave dhe minoriteteve në proceset politike dhe vendimmarrëse të vendit.

Në këtë aspekt është propozuar që në kushtetutë të përfshihet nocioni i kuotës kritike minimum 30% për gjininë më pak të përfaqësuar dhe në të njëjtën kohë, për herë të parë, propozohet përfshirja e një koncepti modern që është zbatuar suksesshëm në shumë shtete, përfshi edhe Kosovën, atë të pjesëmarrjes së minoriteteve në jetën parlamentare nëpërmjet një numri të caktuar përfaqësuesish.

Zgjidhjet praktike dhe teknike do të duhet që të trajtohen dhe gjenden ne Kodin e ardhshëm Zgjedhor, por nëse arrijmë që të dyja këto koncepte ti vendosim në Kushtetutë, ne kemi garancinë që demokracia, pjesëmarrja dhe përfaqësimi i këtyre grupeve i shërbejnë zhvillimit të vendit dhe fuqizimit të shoqërisë sonë me koncepte të reja të tolerancës dhe respektit të të drejtave të njeriut.

Gjithashtu ditën e sotme përfaqësuesit e Koalicionit dhe Shtëpisë së të Drejtave, janë takuar dhe u kanë bërë prezent propozimet e tyre ekspertëve të Komisionit të Venecias, të cilët po shqyrtojnë projekt/ligjet e paraqitura për ndryshime kushtetuese në Shqipëri.

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL