THIRRJE PUBLIKE E KOALICIONIT “DREJTËSI PËR TË GJITHË”

THIRRJE PUBLIKE E KOALICIONIT “DREJTËSI PËR TË GJITHË”

Në emër të Koalicionit “Drejtësi për të gjithë”, vlerësojmë se qytetarët kërkojnë hapa konkrete dhe vullnet të qartë nga të gjitha forcat politike dhe institucionet kushtetuese, për zbatimin efektiv të reformës në drejtësi dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pa këto dy reforma tepër të rëndësishme për vendin tonë, nuk mund të pretendohet për ekzistencën dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Konstatojmë me keqardhje, se miratimi i reformës zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi, dy reforma kyçe për qytetarët dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, janë në ngërç.

Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është procesi më i rëndësishëm për qytetarët, të cilët kërkojnë një sistem drejtësie të pakorruptuar, të pavarur dhe të besueshëm. Koalicioni vëren se kanë kaluar 12 ditë tashmë prej ditës kur Avokati i Popullit publikoi listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale dhe joformale për institucionet e vetingut. I kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i kërkojmë Avokatit të Popullit më shumë transparencë për publikun, përsa i takon mënyrës se si janë zbatuar kriteret e parashikuara në ligj për kandidatët që janë verifikuar.

Gjithashtu, Koalicioni ka monitoruar procesin e verifikimit të kryer nga grupi i punës pranë Avokatit të Popullit për kandidatët e shoqërisë civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Së pari, kemi konstatuar një nivel të ulët përfaqësimi nga shoqëria civile në këtë seancë publike, çka mendojmë se mund të ishte shmangur nëse do të kishte pasur një rol më proaktiv nga ana e Avokatit të Popullit për të informuar dhe për të bërë gjerësisht publik procesin. Gjatë këtij monitorimi, Koalicioni konstatoi po ashtu, se shumica e kandidaturave nuk vijnë nga radhët e shoqërisë civile dhe nuk përmbushin kriteret e parashikuara në Kushtetutë dhe në Ligj. Me besimin që procedura do të rihapet, i bëjmë thirrje organizatave të shoqërisë civile për më shumë përgjegjshmëri në ofrimin e mbështetjes për kandidatët që përmbushin kriteret e parashikuara në Kushtetutë dhe ligj. Për Koalicionin është thelbësore që organizatat e shoqërisë civile të mos japin mbështetje fiktive dhe që të shmanget në mënyrë kategorike nepotizmi, apo çdo konflikt tjetër interesi.

Në përmbyllje, Koalicioni nxit dhe inkurajon organizatat e shoqërisë civile që të mbështesin kandidatë që vijnë realisht nga radhët e saj, që gëzojnë integritet të lartë moral dhe profesional dhe që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje politike, me qëllim përfaqësimin dinjitoz të shoqërisë civile në KLGJ dhe KLP, dy institucione tepër të rëndësishme të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

 

Koalicioni “Drejtësi për të gjithë”

1.         Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN

2.         Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, Vlorë

3.         Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara – ADRF

4.         Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Anti-Trafikim – KKSAT

5.         Balkan Youth Link – Albania

6.         Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri – IRCA

7.         Rrjeti i Grave për Demokraci – WDN Al

8.         Fondacioni “Syri i Medias së Re”, Gjirokastër

9.         Komiteti Shqiptar i Helsinkit – KSHH

10.       Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara - QSHPLI

11.       Shoqata “Tjetër Vizion”, Elbasan

12.       Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri – AmCham

13.       Organizata “Të ndryshëm dhe të Barabartë”

14.       Instituti Shqiptar për Studime Ligjore dhe Territoriale – ALTRI

15.       Shoqata “Together for Life”

16.       Shoqata Evropiane e Studentëve të Drejtësisë – ELSA Albania

17.       Instituti i Evropës Juglindore për Kontratën Sociale – SSCI

18.       Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA

19.       Shoqata për Kulturë Demokratike – SHKD

20.       Qendra për Nisma Ligjore e Qytetare – CLCI

 

                                                                                                                  1 mars 2017

Sponsors

    

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL