Institucionet e Gjirokastrës diskutojnë për aksesin e fëmijëve Rom në kopsht

Institucionet e Gjirokastrës diskutojnë për aksesin e fëmijëve Rom në kopsht

Gjirokastër, 05 Shkurt 2016– Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me CRCA Shqipëri, organizuan sot në sallën e takimeve të Këshillit Bashkiak workshopin “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme”. Takimi kishte si qëllim të sillte së bashku të gjithë aktorët kryesorë për të diskutuar sfidat e vitit të parë e të dytë dhe zgjidhje që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës të fëmijëve rom, të prezantojë gjetjet e vëzhgimit “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme” si dhe të angazhojë të gjithë aktorët për “Prioritetet për arsimin parashkollor të fëmijëve rom në Qarkun Gjirokastër”.

Workshopi i sotëm u zhvillua në kuadër të nismës  së MAS, UNICEF dhe CRCA Shqipëri “Çdo Fëmijë Rom në Kopsht. Në këtë workshop përfaqësuesit e institucioneve publike dhe shoqërisë civile shprehen angazhimin e tyre për të vazhduar punën në mbështetje të komunitetit rom dhe veçanërisht për integrimin e fëmijëve 3-6 vjeç në kopsht, si edhe dolën me një sërë problematikash për tu adresuar për të ardhmen.

Drejtor i CRCA Shqipëri, në fjalën e tij të hapjes tha se qëllimi për të cilin jemi mbledhur këtu sot në qytetitin e Gjirokastrës ishte pikërisht për të evidentuar dhe diskutuar mbi një sërë problematikash dhe sfidash që kanë penguar integrimin e plotë të fëmijëve të komunitetit rom në këtë qytet. “Zhvillimi i bashkëpunimit me vendim-marrësit (Bashkinë, Këshillin Bashkiak, autoritetet lokale) dhe komunitetin rom ka rëndësi të madhe për të nxitur integrimin e fëmijëve rom në arsimin parashkollor”. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij Z. Hazizaj theksoi faktin se familjet e komunitetit Rom duhet të fuqizohen dhe mobilizohen me qëllim angazhimin aktiv të tyre për të dialoguar me qeverinë lokale dhe ofruesit e shërbimeve.

Në pjesën e parë të workshopit, Znj. Majlinda Shabani, Koordinatore e Qarkut Gjirokastër, bëri një ekspoze të shkurtër të punës dy vjeçare në këtë qark. Ajo u ndal në arritjet kryesore të iniciativës dhe të historive të suksesit në rang kombëtar. Ajo gjithashtu u ndal në pasqyrimin e aktiviteteve kryesore në kuadër të iniciativës. Gjatë prezantimit u diskutua mbi rekomandimet dhe çështjet kryesore që kjo nismë duhet të marri parasysh në vazhdimësi për integrimin e fëmijëve rom të zonës Zinxhiraj në arsimin parashkollor dhe atë të detyruar.

Më pas workshopi vijoi me prezantimin e vëzhgimit “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme” për t’iu shpalosur aktorëve të pranishëm rezultatet dhe rekomandimet kryesore të studimit. Diskutimet më pas u ndalën dhë në disa çështje shumë të rëndësishme si: gjendja e fëmijëve dhe puna e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Z. Florian Berberi; regjistrimi i fëmijëve të komunitetit rom në kopsht nga specialistja e DAR Gjirokastër, Znj. Etleva Yzo; regjistrimi i fëmijëve të komunitetit rom në gjendjen civile si një parakusht për ushtrimin e plotë të të drejtave; ecuria e proçesit të ndërgjegjësimit të komunitetit rom në lidhje me shëndetin dhe vaksinimin; planet afatmesme dhe afatgjata të Qarkut të Gjirokastrës në lidhje me përmirësimin e situatës së popullsisë rome, etj. Përfaqësues të komunitetit rom të lagjes Zinxhiraj mundën të bisedonin me institucionet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile mbi disa nga problemet më shqetësuesë që ky komunitet has në jetën e përditshme dhe vështirësitë që fëmijët e tyre kanë në integrimin e tyre në arsim, shëndetësi, shërbime, etj.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet kryesore të qytetit të Gjirokastrës ku mund të përmendim Qarkun, Njësinë për Mbrotjen e të Drejtave të Fëmijëve, Drejtoria Arsimore Rajonale, Drejtoria e Shëndetit Publik, drejtues të shkollave dhe kopshteve të qytetit, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare lokale, etj.

Workshopi u përqëndrua në diskutime të hapura mes pjesëmarrësve dhe konkludoi me ngritjen e çështjeve dhe një sërë rekomandimesh për adresimin e problematikave që has komuniteti rom në këtë qytet. Në fund të takimit pjesëmarrësit lanë takim për të organizuar në vijim një workshop të dytë për të hartuar  “Planin e veprimit për komunitetin rom dhe egjiptian për Qarkun e Gjirokastrës” në konsultim me komunitetin rom.  

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Majlinda Shabani

HRH, CRCA Shqipëri

E-mail: [email protected]

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL