Grupi parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” takohet me shoqërinë civile

Grupi parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” takohet me shoqërinë civile

4 Nëntor 2015, Tiranë–Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me UNICEF dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve-CRCA Shqipëri, organizuan sot takimin e parë të Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” (GPMF). Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesja e UNICEF-it në Shqipëri, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Grupi Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” funksionon si një grup ad-hoc në Kuvendin e Shqipërisë, i cili synon të jetë një zë i fuqishëm i mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. Ai përbëhet nga 24 deputetë, të përkushtuar ndër vite në avancimin e të drejtave të njeriut, të fëmijëve, të grave etj, gjë që e bën punën e Grupit, sa të larmishëm aq edhe mbështetës në drejtim të vështrimit të të drejtave të fëmijëve nga këndvështrime dhe eksperienca të ndryshme profesionale, duke propozuar edhe zgjidhje shumë-disiplinare nga ana e ligjvënësve.

Në fjalën e tij hapëse, moderatori dhe drejtori i CRCA Shqipëri, z. Altin Hazizaj falenderoi kryetarin e Kuvendit si dhe deputetet Vasilika Hysi, Albana Vokshi dhe Olta Xhaçka për punën dhe dedikimin e jashtëzakonshëm që kanë treguar për avancimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Kryetari i GPMF, z. Ilir Meta tha se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën një detyrim të pazëvendësueshëm njerëzor dhe kushtetues për shtetin dhe të gjithë institucionet. “Respektimi i këtyre të drejtave të individëve, promovimi dhe garantimi i tyre do të jenë gjithmonë një prioritet i legjislacionit, i politikave dhe i institucioneve, por edhe i diskutimeve dhe tryezave të organizuara nga shoqëria civile dhe nga vetë fëmijët lidhur me çështjet e tyre”, tha z. Meta.  “Me qëllim realizimin e këtyre angazhimeve, Kuvendi i Shqipërisë mbështeti nismën dhe kërkesën e shoqërisë civile për të krijuar grupin e deputetëve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si një grup i posaçëm avokatie i parlamentarëve në mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të fëmijëve në vendin tonë”.

Përfaqësuesja e UNICEF, znj. Antonella Scolamiero, vlerësoi rolin e Parlamentit për rezolutën e miratuar në 26 nëntor 2013, duke shtuar se mekanizmat për zbatimin e saj janë në rrugë e sipër. Në vijim të fjalës së saj, përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri shtoi se shumë prej angazhimeve të ndërmarra nga Parlamenti shqiptar me rezolutën e 26 nëntorit të vitit 2013, janë në zbatim e sipër duke përmendur si rast unikal krijimin e grupit parlamentar “Miqtë e fëmijëve”.

Nënkryetarja e GPMF, znj. Albana Vokshi tha: “Çështja e të drejtave të fëmijëve është shumë e rëndësishme për shoqërinë dhe është çështje që duhet të tejkalojë çdo axhendë politike dhe ne nuk duhet kurrsesi të keqpërdorim të drejtat e fëmijëve për kapital politik”.

Nënkryetarja tjetër e GPMF, znj. Olta Xhaçka tha se grupi parlamentar është më i mirëorganizuar për të luftuar për të drejtat e fëmijëve, por edhe për të ndërmarrë në bashkëpunim më shoqërinë civile politika dhe nisma ligjore si për parandalimi e dhunës ndaj fëmijëve ashtu edhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Takimi vijoi me një sërë ndërhyrjesh nga përfaqësuesit e parlamentit, shoqërisë civile, institucioneve shtetërore, institucioneve të pavarura, etj. Në mbyllje të takimit u theksuan disa nga pikat kryesore për tu mbajtur parasysh nga pjesmarrësit në takim si: ndarja e planit strategjik të GPMF për sugjerime; ndarja me të gjitha organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijët e një listë të nismave ligjore që GPMF mund të ndërmarrë; planifikimi i një seminari dy ditor për të diskutuar se çfarë mund të bëjnë bashkarisht ligjvënësit dhe OSHC gjatë vitit 2016; krijimi i një grupi fëmijësh dhe të rinjsh, si strukturë konsultuese në Parlament për çështjet që prekin këto grupe; etj.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Mersila Ballo, CRCA Shqipëri, E-mail: [email protected];

Blerina Metaj, CRCA Shqipëri, E-mail: [email protected]

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL