Ftesë për anëtarësim

Ftesë për anëtarësim

Bëhu pjesë e lëvizjes kombëtare për pjesmarrjen dhe përfaqësimin e grave dhe të rinjve në politikë!

FTESË

Kush është Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë?

Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë,është një rrjet i gjerë i organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, i krijuar në Dhjetor 2005, me iniciativën e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD), Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare (FPGSH) dhe një grupi deputetesh të Kuvendit të Shqipërisë. Ai përbëhet nga OJF, Forumet e Grave dhe të të Rinjve nga Partitë Politike, Deputetë, etj.

Për çfarë punon Koalicioni?

Në 9 vite të funksionimit të tij, Koalicioni ka punuar për të arritur pjesëmarrje dhe përfaqësim më të lartë të grave dhe të rinjve në Parlament, Qeverisje Qëndrore dhe Lokale dhe në vendimmarrje në përgjithësi. Kjo përmes forcimit të kapaciteteve të grave dhe të rinjve për të marr pjesë në proceset politike; përmes fushatave sensibilizuese për zbatimin e kuotës gjinore dhe për pjesmarrjen e grave në politikë dhe vendimmarrje; përmes lobimit dhe advokimit për ndryshime në legjislacion dhe politika për të garantuar një përfaqësim më të lartë të grave; dhe përmes informimit dhe edukimit të publikut të gjerë dhe komuniteteve specifike për rëndësinë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje. Koalicioni ishte grupimi më i madh në Shqipëri që nxiti vendosjen e kuotës gjinore 30% në vitin 2008 dhe që ka promovuar ndryshimet dhe përmirësimet ligjore në Kodin Zgjedhor në Shqipëri. Koalicioni ka trainuar, promovuar dhe mbështetur më shumë se 2000 gra dhe të rinj nga forumet politike, prej të cilëve rreth 30 gra, vajza e të rinj janë sot pjesë aktive e politikës si ministra e deputetë.

Cilat janë Objektivat e Koalicionit për vitin 2014?

  1. Mbështetja e një grupi pune me ekspertë të ligjit për të riparë dhe propozuar ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Partitë Politike;
  2. Organizimin e mbi 20 takimeve lobuese dhe advokuese me partitë politike në vend për të mbështetur ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin e partive politike;
  3. Organizimin e një Seance Dëgjimore me Komisionin e Reformës Ligjore dhe me Aleancën e Grave Deputete në Parlamentin e Shqipërisë, për të prezantuar propozimet për ndryshime ligjore në kodin zgjedhor dhe ligjin për partitë politike;
  4. Mbështetja e Aleancës së Grave parlamentare dhe forumeve politike të grave e të të rinjve, përmes trainimeve, ëorkshopeve, takimeve dhe ekspertëve;
  5. Pasurimi i vazhdueshëm i webfaqes dhe faqeve në rrjetin social Facebook, Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë dhe Lidershipi i të Rinjve të Tiranës, si PLATFORMË PËR GRATË DHE TË RINJTË NË POLITIKË ku çdo organizatë mund të informojë partnerët në lidhje me arritjet dhe aktivitetet;
  6. Organizimi i kurseve të trainimit për anëtarët e Koalicionit, OJF dhe grupimet politike;
  7. Monitorimi i punës së Qeverisjes lokale, asaj qëndrore dhe Kuvendit;
  8. Aksione dhe veprime të përbashkëta për gratë dhe të rinjtë në politikë.

Pse duhet t’i bashkohem Koalicionit?

Aktivitetet tuaja dhe të organizatave partnere do të kenë impakt dhe vizibilitet më të madh nëse do të bëhemi të gjithë bashkë si pjesë e lëvizjes kombëtare të gruas dhe të rinjve në vend, lëvizje e cila sot mungon dhe pa të cilën nuk mund të kemi arritje të standarteve demokratike dhe evropiane. Bashkimi me Koalicionin, ju jep këto mundësi:

  1. Të jeni pjesë e lëvizjes më të madhe kombëtare për të drejtat politike të grave dhe të rinjve në Shqipëri;
  2. Të paraqisni qëndrimin tuaj përpara Qeverisë, Kuvendit, institucioneve të pavarura dhe donatorëve;
  3. Të keni  mbështetje pro-aktive nga të gjithë anëtarët e Koalicionit për nismat tuaja lokale dhe rajonale dhe të rrjetëzoheni me të gjitha organizatat që punojnë në Shqipëri;
  4. Akses dhe mundësi të drejtëpërdrejta për lobim dhe avokatësi me institucionet publike në nivel kombëtar dhe rajonal;
  5. Vizibilitet në mediat kombëtare për veprimet dhe aksionet e organizatës ose rrjetit tuaj;
  6. Të mbajmë qendrime të përbashkëta në lidhje me shkeljet e të drejtave politike të grave dhe të rinjve;
  7. Për të qenë pjesë e PLATFORMËS PËR GRATË DHE TË RINJTË NË POLITIKË ku çdo organizatë mund të informojë partnerët në lidhje me arritjet dhe aktivitetet.

Si mund të bëhem pjesë e Koalicionit?

Plotësoni Formën e Aplikimit më poshtë.


FORMULAR APLIKIMI

Ju lutem plotësoni Formularin e Aplikimit për të konfirmuar interesin tuaj për tu bërë pjesë e Koalicionit për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë.

Afati i fundit per regjistrim : E Mërkurë, 30 Prill 2014

Sponsors

    

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL