CRCA dhe HRH kërkojnë nga Qeveria të përmbushë të gjitha detyrimet e saj për zbatimin e prioritetit numër 5 të BE-së për Shqipërinë

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri (HRH), shprehen shumë të shqetësuar për shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në mjediset e komisariateve të Policisë së Shtetit. Rasti më i fundit i humbjes së pashpjeguar të jetës së një të riu në dhomat e komisariatit të Policisë Korçë, tregoi se kjo situatë po vijon të përkeqësohet.
Çdo ditë qytetarët dhe media sjellin fakte të keqtrajtimit apo edhe diskriminimit të personave të ndaluar nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Raporti më i fundit i Avokatit të Popullit denoncon rreth 163 raste të personave të ndaluar dhe të shoqëruar në mjediset e policisë, të cilët janë keqtrajtuar apo dhunuar nga efektivët e Policisë Shqiptare.  Raportohet se nga ana e punonjësve të policisë është ushtruar dhune fizike, ka patur trajtim jo human dhe diskriminim, si dhe arrestime ose shoqërime të paligjshme. Gjithashtu, përgjatë kësaj periudhe kohore i janë referuar Prokurorisë edhe 8 raste të ndjekjes penale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe atyre të burgjeve për keqtrajtime dhe shkelje të të drejtave të të ndaluarve.
Edhe pse, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve të policisë janë trajnuar shpesh për respektimin e të drejtave të njeriut  dhe mbrojtjen nga diskriminimi, duket se ky prioritet ende nuk ka gjetur zbatim në efektivët e thjeshtë të policisë.
Nisur nga kjo situatë, CRCA dhe HRH i kërkojnë sot publikisht Qeverisë Shqiptare dhe Policisë së Shtetit që të krijojnë Zyrën për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në çdo drejtori policie në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj zyre do të jetë trajtimi i çdo ankese të qytetarëve përkundrejt forcave të policisë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe rasteve të diskriminimit, rasteve të shkeljes të të drejtave të punonjësve të policisë së shtetit në vendin e punës nga kolegët dhe eprorët e tyre dhe, së fundmi, informimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të të gjithë organizatës së policisë gjatë fuknsionimit të saj. Zyra do të ketë si qëllim po ashtu të përgatisë udhëzime, qarkore si edhe informacion ndihmës,  për ta kthyer Policinë e Shtetit në një institucion që mbron dhe promovon të Drejtat e Njeriut për të gjithë qytetarët në Shqipëri.
Hapja e negociatave me Bashkimin Europian kërkon ndër të tjera edhe plotësimin e prioritetit numër 5, që është respekti për të drejtat e njeriut dhe eleminimi i diskriminimit. Në këtë drejtim ne ftojmë Qeverinë shqiptare dhe Policinë e Shtetit që të tregojnë se e kanë seriozisht integrimin e vendit në BE dhe arritjen e standarteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Për më shumë informacion na shkruani: info@crca.al


Deetajet e Lajmit
May 27, 2018
438
Kategoria