MBROJTJE LIGJORE FALAS PËR FËMIJËT DHE TË RINJTË VULNERABËL NË SHQIPËRI

MBROJTJE LIGJORE FALAS PËR FËMIJËT DHE TË RINJTË VULNERABËL NË SHQIPËRI

Tiranë, 1 shtator 2017– Nga sot fëmijët dhe të rinjtë vulnerabël, që mund të jenë viktima të diskriminimit, përjashtimit apo dhunimi, dhe që nuk kanë akses në drejtësi, do të mbështeten me ndihmë ligjore falas.

Nisma e përbashkët e PNUD dhe CRCA Shqipëri “Rritja e aksesit në drejtësi për të rinjtë vulnerabël në Tiranë” do të zhvillohet në bashkepunim me ALO 116 dhe Ambasadën Pink synon të forcojë aksesin në drejtësi për grupet me vulnerabël të shoqërisë siçmund të jenë fëmijët dhe të rinjtë viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare, fëmijët e braktisur dhe jetimë, fëmijët dhe të rinj me nevoja të veçanta, anëtarët e komuniteteve Rom, Egjyptian, LGBT, etj.

Zyra për Mbrojtjen Ligjore të Fëmijëve dhe të të Rinjve në Shqipëri (FLA) bën tashmë 16 vjet që mbron në mënyrë aktive fëmijët dhe të rinjtë, të drejtat e të cilëve shkelen për shkak të sjelljes së administratës shtetërore dhe kurdo kur familjet e tyre nuk kanë mundësi për të mbuluar kostot e ndihmës ligjore. Ndihma Ligjore ofrohet nga avokatë dhe juristë ndër më të njohurit në Shqipëri, në bashkëpunim edhe me dhomat e avokatisë dhe në të njëjtën kohë në bashkëpunim dhe referim edhe me organizata të tjera që ofrojnë ndihmë ligjore falas.

Zyra Ligjore ndërkohë po punon nga afër me ALO 116 Shqipëri dhe Ambasadën PINK në mënyrë që çdo rast i referuar prej tyre të mbrohet nga avokatët dhe juristët e Zyrës Ligjore. Në të njëjtën kohë stafi i CRCA Shqipëri po punon nga afër me komunitetin Rom dhe me organizatat e të rinjve për të rritur ndërgjegjësimin e tyre në lidhje me drejtësinë dhe aksesin e grupeve vulnerabël në të.

Zyra për Mbrojtjen Ligjore të Fëmijëve dhe të të Rinjve në Shqipëri (FLA) ofron:

  • Këshillim dhe informim rreth bazës ligjore në fuqi
  • Mbrojtje dhe referim të çështjeve të diskriminimit për shkak të ngjyrës, moshës, gjinisë, orientimit seksual dhe identitetit gjinor, statusit social – ekonomik etj;
  • Këshillim dhe trajtim të shkeljeve të të drejtave të fëmijëve / të rinjve nga veprimet e administratës publike;
  • Avokatësi në lidhje me akte ligjore në konflikt me të drejtat e fëmijës / të të rinjve / me aktet ndërkombëtare etj.    
  • Ndihmë juridike për fëmijët dëshmitarë apo viktima të veprës penale
  • Këshillim, trajtim, referim të rasteve të fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin
  • Këshillim rreth rasteve të martesave të hershme të fëmijëve            

“CRCA Shqipëri është ndër të parat organizata të shoqërisë civile, që në vitin 1999, hapi Zyrën për Mbrojtjen Ligjore të Femijëve dhe të të Rinjve në Shqipëri (FLA). Ky shërbim thelbësor garanton mbrojtje përpara ligjit të të rinjve, për të gjitha viktimat e diskriminimit, dhunës shtetërore, përjashtimit, etj. Sistemi i drejtësisë duhet të vendosë në qendër të drejtat e njeriut dhe respektimin e grupeve më të papërfaqësuara të shoqërisë” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i Përgjithshëm i CRCA Shqipëri në lidhje me qëllimin e nismës.

Për më shumë informacion apo për të kërkuar ndihmë ligjore falas, ju lutem kontaktoni në numrin e telefonit falas:  116-111 (shërbim që ofrohet nga ALO 116)

CRCA Shqipëri: + 355 4 2265741, E-mail:[email protected], Web:www.crca.al

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL