Deklaratë për shtyp - Ngadalësimi i Reformës në sistemin e drejtësisë vonon integrimin europian të Shqipërisë

Deklaratë për shtyp - Ngadalësimi i Reformës në sistemin e drejtësisë vonon integrimin europian të Shqipërisë

“Drejtësi e vonuar – drejtësi e mohuar”

Tiranë, më 5.10.2018 - Koalicioni “Drejtësi për të gjithë”[1] ka mbështetur që në fillim reformimin e sistemit të drejtësisë me synim ngritjen e një sistemi të pavarur, llogaridhënës, transparent dhe efiçent. Kjo reformë u realizua në tre drejtime kryesore që janë: (i) përmirësimi i legjislacionit; (2) ngritja e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe (3)rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut).

Baza për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane është mbajtja dhe thellimi i reformave në 5 prioritetet kyçe si: (i) reforma në drejtësi, (2)reforma në administratën publike, (3)lufta kundër krimit të organizuar, (4) lufta kundër korrupsionit dhe (5) respektimi i të drejtave të njeriut. Këto prioritete janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin, me progresin e qëndrueshëm ekonomik si dhe me integrimin e vendit.

Rezultatet e para të reformës janë konkrete si: miratimi i ligjeve/ndryshimeve ligjore që rregullojnë aspekte të ndryshme të sistemit të drejtësisë e të drejtave të njeriut si dhe largimi si të papërshtatshëm i disa gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, mbetet shumë punë për finalizimin e plotë të saj përmes miratimit të ligjeve të tjera të paketës në drejtësi si dhe ngritjes së funksionimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Koalicioni “Drejtësi për të Gjithë” shpreh shqetësimin se reforma në sistemin e drejtësisë është ngadalësuar dhe kjo vonesë po rrezikon ecurinë e integrimit europian të vendit.

Sikurse ka ndodhur në të shkuarën, sjellja aktuale e partive politike tregon mungesën e vullnetit për t’i dhënë sistemit të drejtësisë, pavarësinë dhe autonominë e nevojshme, aq të domosdoshme për funksionimin e tij në përputhje me misionin që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, si një pushtet i veçantë dhe i ndarë nga pushtetet e tjera.

Kjo sjellje ndikon për keq si dhe dobëson luftën e vështirë me krimin e organizuar, korrupsionin dhe në përgjithësi, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Ngjarja e ditëve të fundit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda është një rast i cili vuri në rrezik jo vetëm dhënien e drejtësisë por edhe integritetin dhe sigurinë e punonjësve të drejtësisë në luftë me krimin e organizuar.

Vonesat në zbatimin e reformës si dhe mosfunksionimi në nivelin e duhur të institucioneve përgjegjëse ka sjellë pasoja të rënda në mbrojtjen dhe respektimin e te drejtave të njeriut, sidomos për grupet vulnerable dhe më të pambrojturit. Tronditës është edhe rasti i fundit i vajzës nga Fushë-Kruja, që tregon mosfunksionimin e institucioneve në dhënien e drejtësisë dhe garantimin e barazisë para ligjit. 

Partitë politike duhet të ngrihen mbi axhendat e tyre, të ofrojnë mbështetje, bashkëpunim dhe konsensus për t’i siguruar vendit një sistem drejtësie thelbësisht të pavarur, të përgjegjshëm dhe të besueshëm.

Koalicioni “Drejtësi për të Gjithë” vlerëson se proçesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë kandidatë për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duhet të zhvillohet në një kohë sa më të shpejtë, sigurisht duke garantuar parimet e proçesit të rregullt ligjor dhe standarde të njëjta vlerësimi për të gjithë subjektet. Përfundimi i këtij proçesi do t’i hapë rrugë ngritjes së organeve të reja të sistemit të drejtësisë si dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese  dhe Gjykatës së Lartë.

Ne jemi të bindur se në sistemin tonë të drejtësisë ka gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe profesionistë, të dobishëm për të kontribuar në organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Për rrjedhojë, Koalicioni “Drejtësi për të Gjithë” inkurajon pjesëmarrjen e sa më shumë prokurorëve të interesuar në garën e hapur për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga prokurorët e Prokurorive të Apelit.

Koalicioni “Drejtësi për të Gjithë” do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet e Reformës në drejtësi dhe do të monitorojë çdo rast apo çështje që ka të bëjë me ecurinë e zbatimit të reformës, me qëllim ngritjen e një sistemi drejtësie të pavarur, transparent dhe të besueshëm që garanton të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve dhe barazinë përpara ligjit.  

***  ***

Koalicioni “Drejtësi për të gjithë”, Tiranë, 05.10.2018:

  1. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare - QNL;
  2. Rrjeti i fuqizimit të gruas në Shqipëri - AWEN;
  3. Shërbimi Ligjor Falas Tiranë - TLAS;
  4. Observatori për të drejtat e fëmijëve;
  5. Meridia Albania;
  6. Instituti për Kontratën Shoqërore – SSCI ;
  7. Fondacioni "Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve"- FZKPM;
  8. Qendra Psiko-Sociale “VATRA”;
  9. Organizata "Të Ndryshëm & Të Barabartë" ;
  10. Instituti shqiptar për studime ligjore dhe territorial- Qendra ALTRI;
  11. WDN Albania;
  12. Organizata People in Focus;
  13. Shoqata Tjeter Vizion;
  14. Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri- IRCA;
  15. Shoqata për Kulturë Demokratike - SHKD;
  16. Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara - QSHPLI;
  17. Together for life.
  18. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar - ADRF

[1]Koalicioni “Drejtësi për të Gjithë” përbëhet nga 24organizata jofitimprurëse që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe të sistemit të drejtësisë.

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL