Falë ngritjes si shqetësim nga Zyra për Mbrojtjen Ligjore të Fëmijëve dhe të Rinjve, komuniteti rom në zonë marrin ndihmën e nevojshme

12.04.2018- Ditën e sotme, në Njësinë Administrative Nr. 6 në Kombinat, 50 fëmijë të komunitetit rom u vaksinuan për t’u mbrojtur nga fruthi, falë raportimit dhe ngritjes si shqetësim nga Zyra për Mbrojtjen Ligjore të Fëmijëve dhe të Rinjve në Shqipëri tek Autoriteti Shëndetësor Rajonal (ASHR) dhe Drejtoria e Shëndetit Publik (DSHP).
CRCA Shqipëri ditën e djeshme kërkoi në mënyrë emergjente nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal (ASHR) dhe Drejtoria e Shëndetit Publik (DSHP) për të inspektuar, vlerësuar dhe marrë masa për situatën e rënduar tek 18 familje të komunitetit rom në Kombinat, si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm. Mungesa e ujit të pijshëm prej më shumë se 1 viti, ka sjellë probleme të theksuara me higjenën dhe përhapjen e epidemisë në këto familje! Disa prej fëmijëve janë prekur nga fruthi dhe infeksione të ndryshme ngjitëse; 52 fëmijë të komunitetit rom janë prekur nga parazitë; është rritur prania e minjve dhe insekteve në barakat dhe banesat e familjeve në fjalë; si dhe dy persona janë në gjendje kritike për jetën si pasojë e epidemisë.
Për sa më sipër, ditën e djeshme punonjësit e ASHR dhe DSHP kanë dezifektuar 18 banesat dhe barakat e familjeve të komunitetit rom, për të vijuar sot me vaksinimin e 50 fëmijëve me vaksinën e fruthit, me qëllim mbrojtjen e tyre nga një epidemi e mundshme në muajt e nxehtë të verës. Në ditët në vijim CRCA Shqipëri do të asistojë vaksinimin e 100 personave të tjerë banorë në zonën e Rrugës së Qelqit, në Kombinat! 
Përkrah ndihmës dhe shërbimeve shëndetësore parësore, Zyra për Mbrojtjen Ligjore të Fëmijëve dhe të Rinjve në Shqipëri po punon për lidhjen e kontratave për të furnizuar me ujë të pijshëm 18 familjet në fjalë, duke bashkëpunuar me instancat përkatëse si Drejtorinë e Përgjithshme Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Bashkinë Tiranë dhe Njësinë Administrative Nr.6. 
Për më shumë informacion, kontaktoni: Klaudio Pulaha, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, tel: 067 500 20 21, E-mail: klaudio.pulaha@crca.al


Deetajet e Lajmit
April 16, 2018
165
Kategoria