KUVENDI I KËRKON QEVERISË TË MBËSHTESË ALO 116

KUVENDI I KËRKON QEVERISË TË MBËSHTESË ALO 116

Tiranë, 27 Nëntor 2013- Kuvendi i Shqipërisë në séancen plenare të datës 26 Nëntor 2013 aprovoi me 109 vota pro dhe asnjë kundër Rezolutën “Për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri”. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, vlerëson aprovimin në unanimitet të kësaj rezolute si një gur themeltar të bashkëpunimit të Parlamentit dhe shoqërisë civile për avancimin e të drejtave të fëmijëve në vend.

Rezoluta e aprovuar është produkt i dedikimit dhe punës serioze të shoqërisë civile, dy komisioneve parlamentare dhe Grupit të Deputetëve për të Drejtat e Fëmijëve në Kuvendin e Shqipërisë. Rreth dy javë më parë Kuvendi i Shqipërisë i dedikoi një seancë të hapur dëgjimore kësaj çështjeje, ku me kërkesë të CRCA Shqipëri u dëgjuan çështjet e ngritura nga organizatat vendase dhe UNICEF për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e rekomandimeve të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së.

Rezoluta u përgëzua nga Deputetja, Vasilika Hysi, e cila ndër të tjera tha: “Rezoluta e miratuar sot në Kuvend parashikon ndër të tjera forcimin e kontrollit parlamentar ndaj institucioneve shtetërore që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Është për tu vlerësuar kontributi i Kuvendit në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve veçanërisht të atyre që i përkasin shtresave të margjinalizuara.” Puna e të dy komisioneve  për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nuk do të ndalet këtu, pasi Kuvendi parashikon ngritjen e Grupit të Deputetëve për Mbrojtjen dhe Respektimin e të Drejtave të Fëmijëve.

Rezoluta në brendësi të saj shtron edhe kërkesa në lidhje me ngritjen e një fondi të posaçëm në buxhetin e 2014  për programe dhe shërbime si ALO 116 - Linja Kombëtare e Telefonit të Fëmijëve, si shërbime të domosdoshme në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi.

Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA Shqipëri, tha: “Sot Shqipëria ka hapur një faqe të re në historinë e saj për të mbrojtur dhe respektuar fëmijët. Miratimi i Rezolutës është një hap i jashtëzakonshëm drejt respektimit të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. CRCA falenderon Kryetarin e Kuvendit, Z. Meta dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, Z. Xhafaj dhe Znj. Vokshi për mbështetjen e tyre. Një falenderim i jashtëzakonshëm shkon për Znj. Hysi, e cila me dedikimin e saj gjatë këtyre viteve ka udhëhequr përpjekjen e shoqërisë civile për të avancuar të drejtat e fëmijëve në vend.”

Po nëpërmjet rezolutës Kuvendi i ka caktuar një serë detyrash edhe vetë institucionit, ku ndër të tjera mund të përmendet edhe përgatitja e një plani pune për të bërë të zbatueshëm të gjitha rekomandimet e Rezolutës. 

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL