Histori Suksesi

Histori Suksesi

NËNA E PARË TËRHEQ PARAPAGESËN PREJ 5000 ALL

Përgjatë vitit të dytë të iniciativës “Çdo fëmijë rom në kopsht”, një ndër 50 fëmijët e komunitetit rom të regjistruar në kopshtet dhe grupet parashkollore të Tiranës, ka qenë edhe vogëlushja 3 vjeçare A.

A. jeton së bashku me nënën (20 vjeç), babain (20 vjeç) dhe motrën e saj më të vogël (1 vjeç e 6 muaj) në barakEn e tezes së babait, sepse prindërit e këtij të fundit kanë ndërruar jetë para shumë vitesh.

Një element tepër i rëndësishëm që vlen të theksohet për këtë familje të re është fakti se kemi të bëjmë me ‘një nënë kryefamiljare’, për shkak se bashkëshortët në fjalë nuk kanë bërë ende celebrimIN. Prindërit e A. përpara se vajza e tyre të regjistrohej në kopsht ishin të dy të papunë, por falë kopshtit tashmë nëna (7 muajshe shtatzanë) ka gjetur kohën e nevojshme për të filluar një punë në treg, ndërsa bashkëshorti vijon të jetë i papunë.

Përveç fitimeve të siguruara nga babai i vogëlushes të cilat nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat bazë të të gjithë pjestarëve, familja nuk ka asnjë burim tjetër të ardhurash qoftë kjo prej trajtimit me ndihmë ekonomike apo asistencë sociale.

Si rrjedhojë e sa më sipër, vogëlushja 3 vjecare në momentin e regjistrimit në kopshtin 38 e përfitoi atë falas, sepse i përkiste një prej kategorive të fëmijëve të listuara, në urdhërin e Këshillit Bashkiak Tiranë për rimbursim të kopshtit, por nuk mundi t’i shpëtonte parapagesës prej 5000 ALL. Përkundrejt kësaj pagese, dëshira e prindërve të A. për ta dërguar atë në kopsht i detyroi të ‘futen’ në borxh tek të afërmit, vetëm e vetëm që A. të merrte edukimin e duhur si të gjithë fëmijët e tjerë.

NËNA E PARË E CILA U SHOQËRUA PREJ STAFIT TË CRCA-së TEK QENDRA EKONOMIKE PËR TË TËRHEQUR TARIFËN E PAGUAR DHE TË PANEVOJSHME ISHTE PIKËRISHT NËNA E VOGËLUSHES A.


HEQJA E PARAPAGESËS PREJ 5000 LEK SI SIGURACION PËR INTEGRIMIN NË KOPSHT

Prej ditës së parë të zbatimit të nismës “Cdo fëmijë rom në kopsht”, stafet e të dy organizatave implementuese të nismën në fjalë kanë hasur një vështirësi mjaft të madhe në regjistrimin e fëmijëve të komunitetit rom – familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike - në kopshtet me drekë.

Tarifa prej 5000 LEK është një tarifë e cila paguhet nga prindërit e çdo fëmije që regjistrohet për herë te parë në një kopsht me drekë. Kjo tarifë shërben si siguracion në momentin që një prind nuk kryen pagesën mujore të ushqimit për një periudhë 1-2 muaj.

Pas evidentimit të kësaj vështirësie, në vitin 2013 ajo çka CRCA ShqipërI ngriti si shqetësim, ishte fakti se “për çfarë siguracioni bëhet fjalë në momentin që një fëmijë përfiton kopshtin falas kur familja e tij/saj trajtohet me ndihmë ekonomike?!”

Kësaj pyetje u desh plot 1 vit e 6 muaj që të ti jepej një shpjegim / përgjigje zyrtare (qoftë kjo pozitive apo negative) se përse tarifa prej 5000 lek duhet të paguhej me patjetër nga fëmijët në fjalë.

Vetë drejtoreshat e kopshteve, drejtorët e Qendrës Ekonomike (të një viti më parë) ishin të ndërgjegjshëm për faktin se kjo barrierë ishte e kotë ndaj fëmijëve të komunitetit rom dhe jo vetëm, të cilët përfitonin 100 % të rimbursimit në bazë të urdhërave përkatëse.

U desh një kohë mjaft e gjatë për një përgjigje pozitive ndaj kërkesave të një pasnjëshme të Qëndrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve - CRCA Shqipëri, Observatorit të të Drejtave të Fëmijëve dhe YWCA Albania “Për heqjen e pagesës së garancisë” për fëmijët që përfitojnë reduktim të plotë të pagesës sipas vendimeve përkatëse” drejtuar:

  1. Drejtorit të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të fëmijëve, Z.Pëllumb Seferit, në datën 15.09.2014;
  2. Kryetarit të Bashkisë, z. Lulzim Basha në datën 27.10.2014;
  3. Kryetarit të Këshillit Bashkiak, z. Aldrin Dalipi, në datën 27.10.2014;
  4. Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erjon Veliaj në datën 01.09.2015;
  5. Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të fëmijëve, në datën 09.09.2015.

Në datën 30.09.2015 nëpërmjet një vendimi të Këshillit Bashkiak Tiranë, u dha urdhër “Për heqjen e parapagesës prej 5000 lek si garanci” për të gjithë fëmijët që përfitojnë 100 % të rimbursimit të kopshtit.

Falë kësaj, tashmë prindërit e çdo fëmijë të komunitetit rom dhe jo vetëm, që përfitojnë 100% të rimbursimit, nuk kanë më nevojë të marrin borxh diku apo të kursejnë ato pak të ardhura që nxjerrin për të paguar diçka të panevojshme.


MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME DREJTORINË RAJONALE TË FORMIMIT PROFESIONAL NR. 4

Në kuadër të nismës “Çdo fëmijë rom në kopsht”, CRCA Shqipëri në vitin e dytë të implementimit të saj, ka punuar së tepërmi për fuqizimin e prindërve të komunitetit rom dhe jo vetëm, nëpërmjet ngritjes së “Klubeve të Prindërve” pranë çdo kopshti/shkolle të Tiranës.

Një prej tematikave të trajtuara në  trajnimet e zhvilluara prej stafit të CRCA-së me “Klubet e Prindërve” ka qenë edhe ajo e mundësisë së “Formimit Profesional” të tyre. Shumë prindër gjatë kësaj kohe janë njohur nëpërmjet specialistëve të DRFP. 4 mbi larmishmërinë e kurseve profesionale të ofruara prej institucionit në fjalë.

Puna për fuqizimin e prindërve nuk është ndalur thjesht me informimin e tyre, por CRCA Shqipëri ka shkuar me tej ku në bashkëpunim me DRFP. 4 dhe Zyrën e Punës Tiranë, përgjatë muajit Tetor ka mundësuar regjistrimin e 9 prindërve të komunitetit rom në një prej kurseve profesionale falas prane DRFP. 4.

Pas regjistrimit te prindërve në kurset e dëshiruara, shumë prej nënave që zgjodhën kursin e parukerisë me lehtësim të CRCA-së kryejnë praktikën dhe ofrojnë shërbim falas në kopshtet dhe shkollat e qytetit të Tiranës.

Falë kësaj pune frytdhënëse, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik Nr.4 ,Z. Piro Jani kërkoi që ky bashkëpunim i bukur midis dy institucioneve të vazhdonte më tej duke u formalizuar nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi.

Si rrjedhojë e kësaj të fundit, tashmë prindërit e “Klubeve” me të cilat CRCA Shqipëri po punon, e kanë shumë herë më të thjeshtë për t’u regjistruar edhe në mungesë të ‘dokumentacionit’ apo mos përmbushjes së ‘kritereve’ të vendosura për çdo kursant.

Në momentin e firmosjes së marrëveshjes mes dy institucioneve, pavarësisht se nuk ishte e shkruar në të, Z. Jani garantoi se prindërit që do të regjistrohen prej CRCA-së kanë mundësinë e përzgjedhjes së orarit më të përshtatshëm për ta.  

Për më shumë informacion ju lutem kontaktoni: [email protected] ose në numrin: +355 4 2265741

Sponsors

    

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL