Koalicioni për Arsimin në Shqipëri vijon avokimin për rritjen e buxhetit për arsimin

Koalicioni për Arsimin në Shqipëri vijon avokimin për rritjen e buxhetit për arsimin

Ministria e financave premton konsultim me ACE për programin buxhetor sidomos në fushën e arsimit

Tiranë, 21 Qershor, 2018 – Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, vijon fushatën e tij avokuese në mbështetje të rritjes së buxhetit për arsimin e fëmijëve dhe të rinjve. Sot në mëngjes, ACE u bë pjesë e konsuktimit publik të organizuar nga Ministria e Financave “Përparisë dhe politikat në programin buxhetor afatmesëm 2019-2021”.

Lidhur me buxhetin vjetor të arsimit (2019) dhe atë afatmesëm (2019-2021), ACE, vuri në dukje se duhet të ketë një linjë buxhetore të dedikuar për fëmijët me aftësi të kufizuar në mënyrë që ata të ndjekin arsimin paraunivesitar në Shqipëri. Gjithashtu zërat buxhetorë duhet të shihen edhe për Shkollat Qendër komunitare në të gjithë vendin. Një vend të veçantë në këto zëra buxhetorë duhet të ketë edhe rritja e buxhetit për trajnimin dhe fuqizimin e mësuesve.

ACE gjithashtu ripërsëriti kërkesën e saj që Shteti Shqiptar të mundësojë dhënien e  teksteve shkollorë falas për të gjithë fëmijët në arsimin e detyrueshëm. Gjithashtu Koalicioni kërkoi nga Ministria e Financave një kontroll më të fortë dhe marrjen e masave për ministrisë apo bashkitë të cilat nuk konsultojnë në kohë draft-buxhetin, detyrim ky i parashikuar  në ligj.

Z. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave, shprehu gadishmërinë e tij maksimale dhe mbështetjen për Koalicionin për Arsimin në Shqipëri për të konsultuar buxhetin e shtetit për arsimin dhe fusha të tjera, duke përfshirë këtu edhe ndërlidhjen me ministritë e tjera të linjës. Kjo me qëllim që projekt buxheti afatmesëm 2019-2021 të jetë sa më përfaqësues dhe në përmbushje të nevojave e  prioriteteve të qytetarëve.

Ministria e Financace ftoi Koalicionin për Arsimin në Shqipëri për të monitoruar ndër të tjera edhe shpenzimet buxhetore të alokuara si për arsimin, por edhe për shërbime të tjera që ofrohen për fëmijët.

Vetëm dy muaj më parë, Koalicioni për Arsimin në  Shqipëri (ACE),  prezantoi raportin për Financimin e Arsimit publik paraunivesritar. Studim ky që tregoi se Qeveria Shqiptare nuk ka përmbushur premtimin e saj që të çojë në vlerën 5% buxhetin për arsimimin e fëmijëve. Analiza 10-vjeçare e buxhetit të shtetit tregoi se investimet publike për arsimimin e fëmijëve që prej vitit 2013 kanë ardhur vetëm në ulje.

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL