69% e fëmijëve në Shqipëri, viktima të dhunës psiklologjike dhe fizike në institucionet arsimore

69% e fëmijëve në Shqipëri, viktima të dhunës psiklologjike dhe fizike në institucionet arsimore

Arsimi parauniversitar në vend, nuk ofron asnjë mekanizëm të raportimit të dhunës në ambientet e tyre

Tiranë, 15 tetor 2018 – Me kërkesë të ACE, sot, Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, organizoi dëgjesën publike me fokus mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe bulizmi në shkolla. Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), njohu anëtarët e Komisionit me raportin më të fundit që koalicioni ka realizuar për vlerësimin dhe modelimin e shërbimit psiko-social në arsimin parauniversitar publik në Shqipëri.

Duke ju referuar një prej studimeve kryesore të dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri, BECAN1, rezulton që dhuna psikologjike konfirmohet nga 69% e fëmijëve, përkundrejt 59% të dhunës fizike dhe 11 % e tyre janë të përfshirë në dhunën seksuale.

Ndërsa nga të dhënat e programit COMBI2 2016 rezulton se 41 % (ose 1 në 3 nxënës) raportojnë përjetim të formës së dhunës psikologjike.

Një studim i Këshillit të Europës3, tregon se 19.4 % e nxënësve kanë rezultuar se janë të përfshirë në fenomenin e bullizmit 2-3 herë në muaj ose më shumë, ndërsa 86.6 % e mësuesve e shohin të nevojshme të kenë një politikë kundër dhunës dhe bulizmit në shkolla. Rreth 73% e nxënësve viktima parapëlqejnë që ta raportojnë bullizmin.

Ndër gjetjet e raportit të ALO dhe ACE, theksohet se skema aktuale e shërbimit psiko-social në institucionet arsimore ka paqartësi në mënyrën e raportimit të rasteve të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit të fëmijëve, mbledhjes së analizas së të dhënave, supervizimit profesional si dhe përdorimit të të dhënave për vendmarrje.

Koordinatorja Kombëtare e ACE, znj. Linda Pino, përpara parlamentarëve ngriti shqetësimin e mungesës së theksuar të politikave për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në Strategjinë e Zhvillimit të Arsimit parauniversitar 2014-2020. Sipas Pinos, Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e fëmijëve, përkatësisht neni 13, pika 3 gërma G, detyron Ministrinë e Arsimit për ngritjen e mekanizmave efikase për parandalimin, trajtimin brenda shkollës dhe raportimin tek autoritet përjegjëse të situatave të dhunës duke përfshirë dhe bullizmin, dhe kjo e kthen në domosdoshmëri ngritjen e tij.

Nisur nga të gjitha problematikat e shfaqura dhe gjetjet e raportit, ACE dhe ALO kërkoi përpara komisionit parlamentar :

  • Një plan Kombëtar për dhunën zero në shkolla;
  • Fuqizimin e figurës së psikologut “Avokati i fëmijëve brenda shkollës”;
  • Ngritjen e një Shërbimi Kombëtar Psiko-Social dhe Komisioneve për parandalimin dhe raportimin e dhunës dhe zbatimin e rregullores në institucionet e arsimit parauniversitar publik;
  • Rritjen e buxhetit për arsimin e fëmijëve.

Ministria e Arsimit, dy vite më parë, hartoi në bashkëpunim me shoqërinë civile planin e punës për eleminimin e dhunës në Institucionet Arsimore, por ende deri më sot, nuk ka një raport rreth implementimit të tij, apo edhe ndonjë raport publik rreth rasteve të dhunës, të raportuara nga DAR/ZA, sa raste janë raportuar, trajtuar dhe nëse janë marrë masa drejt ushtruesve të dhunës.

Për më tepër informacion, mund të kontaktoni në adresën [email protected]


[1] . Case-Based Surveillance Study on Violence Against Children, CRCA, Albania, January 2013                                                        

2. COMBI “Komunikim për Ndryshimin e Sjelljes” është programi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në partneritet me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Agjencinë Shetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, UNICEF dhe Qendra “Fëmijët Sot”, për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve në vend.

3. Edmond Dragoti, Emanuela Ismaili, 2017, “Bullizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm në sistemin arsimor shqiptar”, Këshilli i Evropës.

 

 

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL