Shoqëria civile marshon për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në vend

Shoqëria civile marshon për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në vend

Nën moton: “Jepni llogari për fëmijët!”, organizatat nënshkruan peticionin kombëtar drejtuar Qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit

Tiranë, 1 Qershor 2018 – Në ditën simbol të festës së fëmijëve, 1 Qershor, shoqëria civile zgjodhi të marshojë përgjatë bulevardit të Tiranës nën moton “Jepni Llogari për Fëmijët”. Rreth 28 organizata të saj që punojnë çdo ditë në Shqipëri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, zgjodhën të ngrenë zërin dhe të kërkojnë llogari për të mbështetur gjithmonë të drejtat e tyre.

Marshimi nisi me leximin e peticionit që të gjitha organizatat i dërgojnë insitucioneve vendimarrëse në vend duke kërkuar dhënien llogari mbi kushtet në të cilat fëmijët shqiptarë arsimohen, jetojnë e ushqehen, mbrohen, kanë aksesin në drejtësi si dhe marrin shërbimet shëndetësore.

Altin Hazizaj, në emër të 28 organizatave nënshkruese të peticionit, solli në vemendjen e publikut realitetin në të cilin ndodhen fëmijët në Shqipëri, duke kërkuar që qeveria shqiptare të ndërmarrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për realizimin e të drejtave të fëmijëve të sanksionuara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, si dhe në detyrimet që kanë lindur nga Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm (SDG-të).

Peticioni u firmos nga të gjitha organizatat publikisht përpara insitucionit kryeministror duke i kërkuar llogaridhënie qeverisë shqiptare. Më pas përfaqësuesit e organizatave, prindër e qytetarë të ndryshëm, ju drejtuan Kuvendit të Shqipërisë. Ata në mënyrë figurative protestuan me një karton të kuq për këtë institucion, për apatinë e tij të vazhdueshme në mosrealizimin e kërkesave dhe rekomandimeve prej mëse një viti.

Në dyert e Presidencës, shoqëria civile u prit nga vetë Presidenti i Republikës, i cili e mirëpriti peticionin dhe shprehu angazhimin e tij per te vënë në lëvizje të gjitha strukturat në punën e tyre për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Ky marshim vjen në vitin e dytë të tij, duke e kthyer tashmë në një traditë jo vetëm kërkesën e shoqërisë civile në Shqipëri për llogaridhënie, por edhe mënyrën se si mund të festohet dhe ngrihet zëri në të njëjtën ditë për të ardhmen e fëmijëve.

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL