CRCA mbledh grupin e punës për hartimin e Ligjit për Rininë në Shqipëri

CRCA mbledh grupin e punës për hartimin e Ligjit për Rininë në Shqipëri

Ligji i Rinisë nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e të rinjve dhe pa garantuar mbështetjen e tyre

Tiranë, 25 Korrik 2018 - Organizatat rinore nga e gjithë Shqipëria, nën lehtësimin e CRCA Shqipëri, zhvilluan takimin e parë të Grupit të Punës së Shoqërisë Civile për të diskutuar strukturën e projekt-Ligjit të Rinisë. Qëllimi i ligjit të Rinisë është që të fuqizojë mbështetjen dhe mekanizmat për të rinjtë në vend.

Projekt-ligji i Rinisë sapo ka nisur të përgatitet nga Qeveria Shqiptare, por ndërkohë organizatat rinore dhe të rinjtë kanë mbi dy vjet që punojnë për të adresuar problematikat dhe prioritetet që duhet të përmbajë një ligj i tillë. Përgjatë dy viteve të fundit, CRCA dhe ANYN kanë punuar së bashku për t’u konsultuar me të rinjtë në 12 qarqe të vendit për të mbledhur një bazë të mirë të të dhënave dhe shqetësimeve, të cilat duhen adresuar nga ligji i ri për rininë.

Të gjitha këto të dhëna, u prezantuan në takimin e parë të Grupit të Punës të OJF-ve, i cili do të vendosë edhe mbi ndjekjen e tyre. Në këtë kuadër Grupi i Punës së shoqërisë civile dhe të gjithë të rinjtë e përfshirë në të, duan të garantojnë një oponencë sa më konstruktive të draftit qeveritar të ligjit, duke garantuar ndërkohë edhe një përfshirje sa më të gjerë të të rinjve dhe të rejave në proces.

Shqipëria është një ndër vendet e fundit në rajon që ende nuk e ka një ligj për rininë.

Ligji i Rinisë do të sjellë përmirësimin e mëtejshëm të politikave rinore ekzistuese, krijimin e një mekanizmi institucional të mbështetjes së të rinjve, dhe shpërndarjen e drejtë të shërbimeve për zhvillimin e të rinjve.

Më shumë informacion, kontaktoni:

Ervjola Osmanaj

Presidente e ANYN

[email protected]

Sponsors

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL